Studim: Virusi Zika në spermë mund të mbijetojë deri në gjashtë muaj

Në spermën e të infektuarit edhe pas 181 ditëve është gjetur virusi i rrezikshëm, që konfirmoi mundësinë se ky virus vetë-rinovohet në sistemin riprodhues të mashkullit

Shkencëtarët nga Instituti italian për sëmundje infektive Spallanzani në Romë zbuluan se virusi Zika në spermë mund të qëndrojë deri në gjashtë muaj, që është dyfish më tepër se supozimet e mëhershme, raporton Anadolu Agency (AA).

Më herët hulumtimet tregonin se virusi i rrezikshëm Zika në spermë mund të qëndrojë deri në tre muaj, por shkencëtarët italianë zbuluan këtë virus në spermën e një pacienti 30 vjeçarë edhe gjashtë muaj pas simptomave të para të infektimit.

Italiani i infektuar në muajin janar ka qëndruar në Haiti, ku e ka kafshuar mushkonja aedes. Pas kthimit në Itali filluan të paraqiten simptomat sikurse temperature e lartë trupore, lodhja dhe të përziera, ndërsa 93 ditë më vonë është zbuluar virusi Zika në pështymën, urinën dhe spermën e tij.

Në spermën e të infektuarit edhe pas 181 ditëve është gjetur virusi i rrezikshëm, që konfirmoi mundësinë se ky virus vetë-rinovohet në sistemin riprodhues të mashkullit.

Raporti i detajuar i hulumtimit të ekspertëve italianë është publikuar në revistën “Eurosurveillance“. Për virusin Zika nuk ekziston vaksinë, dhe as që ekziston ilaç për mjekimin e virusit.

Simptomat zakonisht përfshijnë ethe, dhembje të nyjeve, skuqje dhe dhembje të syve, dhembje të muskujve dhe të vjella. Simptomat zakonisht fillojnë tre deri në shtatë ditë pas kafshimit të mushkonjës.

Përveç kafshimit të mushkonjës, virusi Zika transmetohet dhe përhapet edhe me transfuzion të gjakut, por edhe me kontakt seksual.

Virusi vitin e kaluar u përhap më shumë në Brazil, kur u regjistruan më shumë se 2.400 raste në 20 shtete braziliane, në krahasim me 147 raste në vitin 2014.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu