Taksë edhe në autostradat e Kosovës, por çmimi jo si në Shqipëri

Pas vendosjes së taksës në autostradën e Shqipërisë, mësohet se edhe autostradat kosovare do të bëhet me pagesë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj, icili ka thënë se edhe autostradat në Kosovë do të bëhen me pagesë, porse para kësaj do të bëhen matje për qëndrueshmërinë ekonomike dhe konsultime me publikun dhe ekspertë ekonomik.

“Taksat para se të vendosen duhet të analizohen pse dhe ku është qëllimi, sepse ato nuk ndërrohen çdo ditë. Ne po bëjmë matjet tona për qëndrueshmërinë ekonomike të procesit dhe të definimit të modelit të kësaj takse dhe pastaj në konsultim me publikun e gjerë dhe me ekspertët ekonomik do të vendoset për këtë temë”, tha Lekaj.

I pari i MI-së ka siguruar qytetarët se Shqipëria nuk do të jetë model për Kosovën, sa i përket çmimit të autostradës.

“I siguroj qytetarët e Kosovës dhe të gjithë ata që frekuentojnë autostradat tona se Shqipëria nuk do të jetë model për sa i takon çmimit të pagesës. Pra çmimi do të referojë në gjendjen ekonomike të vendit dhe qytetarëve tonë”, shtoi Lekaj.

Kujtojmë se qytetarët e Kukësit kanë organizuar protesta për të kundërshtuar këtë çmim, ndërkaq sot është njoftuar se për shkak të prishjeve të sporteleve nga protestuesit, qytetarët do të lëvizin pa paguar për rreth 60 ditë, deri në rregullimin e tyre. /albeu.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu