T’i heqësh pacientit tumorin 18 cm, flet Dr. Kasumaj: ju rrëfej përjetimet e një operacioni të rrallë

Heqja e tumorit prej 18 centimetrash nga trupi i pacientit Isuf Selmanshalës nga fshati Rashiq komuna e Pejës, do mbetet përherë në kujtesën profesionale të doktor Rexhep Kasumajt (drejtorit të Klinikës së Urologjisë), operim të cilin e kreu sigurisht me ndihmën e kolegëve.

Dr. Kasumaj, në një rrëfim tregon se sa ishte sfiduese për të kjo ndërhyrje kirugjikale që zgjati mbi 6 orë.

Ai, në një bisedë për tesheshi.com flet edhe për atë se sa e ka kuadro Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) të kryejë raste të ndryshme të kancerit dhe si duhet luftuar kjo sëmundje…

Intervistoi: Blendi Gashi

Dr. Kasumaj, të shtunën keni kryer së bashku me ekipin një operacionin të rrallë në QKUK ku një pacienti i keni hequr një tumor masiv 18 centimetra në veshkën e djathtë. Sa ishte sfiduese për ju kjo ndërhyrje kirurgjikale?

Më 15 nëntor të këtij viti në Klinikën e Urologjisë në QKUK, është operuar pacienti I.SH, I lindur më 1954 me tumor masiv në veshkën e djathtë.

Ndërhyrja kirurgjikale ishte mjaft sfiduese, me mundësi të lëndimit të enëve të mëdha të gjakut ( siç është vena cava inferior të cilën tumori e kishte mbuluar në tërësi në gjatësi prej 18 cm) dhe mëlqinë.

Operacioni ka zgjatur mbi 6 orë. A kishte ndonjë komplikim që u paraqit gjatë operimit? A mund të na tregoni se si eci puna me ekipin e mjekeve?

Po, operacioni ka zgjatë mbi 6 orë, duke e hequr në tërësi tumorin, pa patur asnjë komplikim dhe gjendja e pacientit është stabile. Duhet të them se suksesi i një operacioni të tillë nuk është meritë e një individi, por është punë ekipore ku roli i ekipit operator është i jashtëzakonshëm.

Duke ditur se tumori ishte me madhësi gjigante, a jeni frikësuar në ndonjë moment se mund të mos ec çdo gjë mbarë?

Tumori ishte me madhësi gjigande, duke filluar nga krahërori e deri në pjesën e poshtme të abdomenit ( stomakut ) duke i mbuluar në tërësi enët e mëdha të gjakut (vena cava inferior) dhe duke hyrë në thëllësi në anën e pasme të mëlqisë.

Gjatë tërë kohës kemi qenë të vetëdijshëm se mund të vie deri te lëndimi i mëlqisë por edhe i enëve të mëdha të gjakut, (siç është v.c. inferior), por në të njëjtën kohë kemi qenë të përgatitur për sanimin e këtyre komplikacioneve të mundshme.

Po kur ja arritët qëllimit, pra kryet me sukses operimin, ç’ndjenjë ishte?

Ishte një ndjenjë gëzimi dhe vetëbesimi sepse u arritë qëllimi kryesor që ishte heqja në tërësi e tumorit pa patur fare komplikacione.

A është kjo ndërhyrja e parë kirurgjikale e tillë në përvojën tuaj, apo keni kryer dhe ndonjë operacion tjetër të këtij niveli?

Në përvojën time mbi 30-vjeçare nuk është realizuar ndonjëherë një ndërhyrje e tillë kirurgjikale.

Doktor, siç dihet rastet me kancer po shënojnë rritje. QKUK, cilat raste mund t’i kryejë e cilat jo? Pra ç’kushte ka aktualisht në Kosovë për tu trajtuar raste të tilla?

Në nivel të tanishëm të organizimit të shërbimeve urologjike, ky potencial i kuadrave nuk është i shfrytëzuar sa duhet për shkak të mungesës si hapësirë për pacientët e shtrirë në klinikë.

Këto kuadro janë në gjendje të ofrojnë shërbime profesionale të nivelit të lartë urologjik dhe të mundësojnë kryerjen e pothuajse të gjitha shërbimeve urologjike në vend, pa pasur nevojë që pacientët tanë të bredhin nëpër klinika jasht vendit.

Për fund, ç’mesazh keni për personat që janë të prekur nga kanceri? Si duhet të luftojnë këtë sëmundje?

Ndërhyrja kirurgjikale paraqet formën e vetme efikase për shërimin e karcinomës. Këto ndërhyrje munden me qenë konzervuese dhe radikale. Operacionet konzervuese kanë për qëllim të heqin në tërësi tumorin (kur tumori është i vogël dhe i lokalizuar në periferi) duke e ruajtur maksimalisht parenkimen renale (pra duke e ruajtur veshkën ).

Për këtë arsye duhet të bëhen ekzaminime të shpeshta ekosonografike me qëllim të zbulimit të hershëm të karcinomes së veshkave. Ndërsa te operacionet radikale, veshka heqet në tërësi për shkak të masës tumorale mbi 5 cm. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu