Trajkoviq: Serbët e veriut të privilegjuar, Vuçiq histerik pse s’e kontrollon Rashiqin

Politikania serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq e ka quajtur histeri të plotë gjithë reagimin e numrit një në Beograd, Aleksandar Vuciq pas emërimit të Nenad Rashiqit, ministër në qeverinë e Republikës së Kosovës.

“I urdhëron 28 ministra të qeverisë së Serbisë ashtu siç do, e për një ministër në qeverinë e Kosovës, të cilin nuk mundi ta zgjedhë vetë, e të cilin as nuk e kontrollon krijon histeri të plotë”, ka shkruar ajo në Twitter.

Rashiq, kryetar i Partisë Progresive Demokratike në Kosovë, u emërua ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Albin Kurtit, pas dorëheqjes që dha nga kjo pozitë Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, nismë kjo politike e mbështetur fuqishëm nga Aleksandar Vuçiq dhe pushteti në Beograd.

Ky i fundit u trazua nga vendimi i Kurtit dhe bëri akuza të rrepta në drejtim të tij, ndërsa e ofendoi Rashiq duke e quajtur më te keqin e serbëve të Kosovës. Për më tepër, për shkak të këtij vendimi, Vuçiq anuloi edhe pjesëmarrjen e tij në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që është paraparë të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë.

Pak momente pas emërimit në këtë pozitë, Rashiq tha se politkania tjetër e Kosovës, që nuk është me Srpska-n, Rada Trajkoviq, do të jetë këshilltare e tij.

Në një intervistë për Danas, kjo tha se pranoi ofertën për shkak se mendon që ka nevojë për barazi të plotë në mënyrën se si trajtohen serbët, në gjithë Kosovën.

“Mendoj se veriu i Kosovës është sforcuar shumë ndërsa që pothuajse është harruar krejt territori në jug të Ibrit dhe enklavat”, ka thënë ajo për Danas, përcjell Klan Kosova. “Banorët e enklavave janë lënë në harresë dhe ata janë të lidhur vetëm me Kishën Ortodokse Serbe. Dua ta kthejmë barazinë në interesim për serbët në krejt Kosovën”.

Rashiq dhe Trajkoviq kanë qenë pjesë e strukturave të mëhershme politike e institucionale në Kosovë. Ata mbetën nën hije pas themelimit të Listës Serbe më 2013 dhe fitoreve të kësaj të fundit nëpër të gjitha zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, që nga atëherë, si rezultat i mbështetjes së fuqishme nga Vuçiq.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu