Tregimi mbi tregtarin që kishte vetëm një djalë

Tregohet se në kohë të lashta, na jetonte një tregtar, i cili kishte vetëm një djalë. Pasi mbushi moshën e pjekurisë, i ati i ngarkoi një karvan me mallra të shtrenjta dhe e nisi për tregti. Gjatë rrugës nëpër shkretëtirë, i biri vëren një dhelpër të moshuar dhe shëndetlige. Ajo mezi hidhte hapat, për të mos thënë që nga strofulla e saj, dilte vetëm duke u zvarritur.

Me vete, djaloshi mendoi:”Si mund të jetojë në këtë gjendje kjo dhelpër e mjerë?! Si mundet të sigurojë ushqimin në mes të kësaj shkretëtire përvëluese?!” Teksa mendonte, sytë e tij i pikasin një luan i cili tërhiqte zvarrë prenë e tij, derisa arriti tek dhelpra. Aty, e la prenë dhe u largua vetë. Zonja dhelpër, hëngri nga preja që i solli luani derisa u ngop, pastaj u kthye në strofkullën e saj të ngrohtë. E gjithë kjo skenë, ndiqej plot habi nga biri i tregtarit.

Me vete, ai mendoi:”I pa të meta je o Zot! Ia çoke ushqimin edhe kësaj dhelpre të gjorë e cila nuk lëviz dot vendit. Sakaq, unë u dashka të lodhem, të udhëtoj lart e poshtë për të fituar bukën e gojës. Jo more se nuk bëhet kjo punë!” dhe menjëherë mori rrugën e kthimit për në shtëpi.

Me të mbërritur, i tregoi të atit gjithçka i kishin parë sytë.
I ati, e dëgjoi me durim dhe pasi i biri mbaroi, i tha:”O bir! Unë të dërgova për të bërë tregti dhe për tu lodhur, që të bëhesh luan dhe të ushqesh edhe njerëzit e tjerë, jo që të bëhesh dhelpër e të presësh çfarë të të japin njerëzia.”

Nga: Elmaz Fida


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu