Trump njeh Jerusalemin kryeqytet, protesta në Rripin e Gazës e Stamboll

Menjëherë pas shpalljes së Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit kryeqytet të Izraelit, në rrugët e Rafahut, në Rripin e Gazës, si dhe në pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Stamboll kanë shpërthyer protestat.Protestues të shumë në qytetin europiano-aziatik të Turqisë janë mbledhur para misionit diplomatik amerikan, pasi Trump theu politikën disa dekadëshe të mosnjohjes së Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.Edhe në rrugët e Rafahut, në Rripin e Gazës, me qindra e mijëra kanë dalë për të shprehur irritimin e tyre me vendimin e Trumpit, duke djegur portretet e tij, të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe flamuj të Izraelit.

Në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se administrata e tij do të nisë edhe procesin e transferimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Tel Avivi në Jeruzalem, gjë që pritet të marrë disa vite kohë.

Trump e quajti vendimin e tij si një hap “tejet të vonuar” për të avancuar procesin e paqes.

“Kam vendosur se ka ardhur koha që ta njohim zyrtarizht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, – tha Trump. – Edhe pse presidentët e mëparshëm e kanë pasur një nga premtimet kryesore të fushatave të tyre presidenciale, ata të gjithë kanë dështuar të ecin më tej. Sot unë po e hedh këtë hap”.

Trump vepron kështu bazuar mbi ligjin e vitit 1995, që u kërkon Shteteve të Bashkuara të transferojnë Ambasadën e tyre në Jeruzalem. Paraardhësit e tij, nga Bill Clinton, George Ë. Bush e deri te Barack Obama ishin tërhequr nga ky vendim për të mos përflakur më tej tensionet në Lindjen e Mesme.

Ndihmësit e Trump pretendojnë se kjo lëvizje reflekton realitetin e Jeruzalemit, si qendra e besimit hebre dhe faktin se qyteti është seli e qeverisë izraelite.

Ndërkohë, një i dërguar palestinez tha se vendimi i Trumpit ishte një “deklaratë lufte” për Lindjen e Mesme. Papa Françesku gjithashtu kishte bërë thirrje që të respektohej “status quo”-ja e Jeruzalemit, pasi sipas tij tensionet e mëtejshme në këtë rajon do të nxisnin konflikte në mbarë botën. Edhe Kina e Rusia shprehën shqetësim mbi planet e Trump, sepse sipas tyre do të përkeqësojnë armiqësitë në Lindjen e Mesme.

Pak më herët nga fjalimi i Trump, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se u kishte nisur këtë të mërkurë një kabllogram të gjitha përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës anembanë botës, ku iu kërkohet zyrtarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt Izraelit, Jeruzalemit apo Bregut Perëndimor deri më 20 dhjetor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu