Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Lideri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është i përfshirë në negociatat për një marrëveshje që synon t’i japë fund luftës dhe se palët “duken se po shkojnë mjaft mirë”.
“Ai është i përfshirë, absolutisht. Po, mendoj se ata kanë shumë respekt për të”, tha Trump për Khamenein, duke shtuar se do të donte ta takonte “në një moment të caktuar”.
“Me gjasë do të takohemi në një moment caktuar, në varësi se si do të zhvillohen gjërat”, tha ai në një intervistë për “Pod Force One”.
Presidenti amerikan tha se Irani tashmë ka pranuar të mos ketë armë bërthamore, duke theksuar se “kjo është një gjë e madhe”.
“Nuk mund t’i lejojmë të kenë armë bërthamore. Ata tashmë kanë pranuar se nuk do të kenë armë bërthamore, dhe mund të ndryshojnë mendje, por kjo ishte një nga gjërat që duhej ta pranonin, dhe kjo ishte gjëja e madhe”, tha ai.
SHBA-ja dhe Izraeli kanë thënë se programi bërthamor i Iranit dhe “eliminimi i kërcënimeve të menjëhershme nga regjimi iranian” ishin arsyet kryesore për nisjen e luftës më 28 shkurt. Konflikti aktualisht është i pezulluar dhe përpjekjet për një zgjidhje të përhershme po vazhdojnë nën ndërmjetësimin e Pakistanit.
Trump tha se bisedimet me Iranin janë “në zhvillim të shpejtë dhe po ecin mirë”, duke shtuar se “shumë gjëra të mira do të ndodhin”. përcjell Zhurnal.mk .








