Turqia dhe SHBA-ja diskutuan mbi fushat e bashkëpunimit dhe përpjekjet për të rritur më tej vëllimin e tregtisë dypalëshe, njoftoi sot Ministria turke e Tregtisë.
Në një takim virtual të mërkurën, ministri i Tregtisë së Turqisë, Mehmet Mus dhe përfaqësuesja e Tregtisë e SHBA-së, Katherine Tai ranë dakord të rrisin dialogun dypalësh dhe të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, thuhet në njoftim.
Të dy palët nënvizuan rëndësinë e ngritjes së objektivit tregtar shumë më të lartë, duke theksuar pritjet e tyre nga njëra-tjetra në fusha të ndryshme, veçanërisht në qasjen në treg, thuhet më tej.
Mus ngriti kërkesën e Turqisë për eliminimin e taksave shtesë të aplikuara nga SHBA-ja në industrinë e çelikut, duke vënë në dukje proceset e konsultimit të kryera brenda Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Ai tha se Turqia do të vazhdojë të punojë me SHBA-në në platformat dypalëshe dhe shumëpalëshe për të rritur më tej vëllimin e tyre tregtar. Mus po ashtu propozoi krijimin e një grupi të përbashkët pune dhe ftoi përfaqësuesen tregtare të SHBA-së në Turqi.
Tai theksoi se ekzistojnë fusha të rëndësishme të bashkëpunimit me Turqinë brenda G20, OECD dhe Organizatës Botërore të Tregtisë, duke shtuar se Washingtoni është i gatshëm të bashkëpunojë me Ankaranë në fusha të ndryshme.









