Veliaj rrëfen Umra-n e tij në Mekë, debat mes muslimanësh për votën

Një video ku Veliaj rrëfen përvojën e tij në një Umra, rit islam në Mekë, po qarkullon këto orë në rrjete duke u bërë objekt debati mes muslimanësh në kuadër të zgjedhjeve politike të së dielës.

Rrëfimi i Veliajt është bërë javë më parë gjatë përurimit të një xhamie të re në Tiranë, ku kryeashkiaku socialist ishte prezent në ceremoni. Ishte njëherësh dhe muaj Ramazani.

Tashmë, kjo video po vjen në kontekstin e qasjes ndaj figurave apo kahjeve politike, nga një komunitet i madh besimtarësh, siç është ai musliman.

Prej vitesh, ka një lloj kakofonie në këtë komunitet në qasjen apo qëndrimin ndaj siglave politike. Një pjesë i janë besnikë PD-së, duke parë te ajo ende antikomunizmin apo djathtizmin konservator. Për një pjesë tjetër këto kute gjykimi nuk ekzistojnë, duke zgjedhur kësisoj qasjen respektuese që ka patur PS ndaj elementit musliman duke u hapur madje dhe dyert e institucioneve, përfshirë dhe femrat me shami.

Në finale, zgjedhjet mbeten individiuale, pa ndonjë fetva institucionale, pra pa ndonjë orientim fetar të votës të mirëargumentuar nga pikëpamja e shtjellimit fetar.

Në qëndrimin individual, muslimanët janë mes dy lloj vlerësimesh ndaj siglave: nëse do e orientojnë votën në kriterin ndaj asaj force që është luajale ndaj tyre si komunitet paçka cilësisë qeverisës në përgjithësi, apo e kundërta, nëse do zgjedhin kriterin e cilësisë qeverisëse e aspak luajalitetit ndaj tyre nga kjo apo ajo forcë.

Në planin e kriterit vetëm komunitar, PS ka një avantazh të lehtë ndaj PD-së, edhe nga fakti që figurat e saj shprehin hapur dhe pa komplekse konsiderata për Islamin, siç rasti i Veliajt, përfshirë dhe raportin e ngushtë të Ramës me Erdogan apo dhe partneritetin e fortë të socialistëve me vendet arabe(islame).

Nga ana tjetër, Berisha nuk është kursyer të godasë Erdoganin apo dhe Turqinë, pa pyetur për sentimente muslimanësh, si dhe ka goditur gjithashtu edhe në Islamin e tyre, figura muslimanësh në PD që janë rreshtuar me Bashën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu