”Veriu, bombë e kurdisur – Të themelohet ushtria e Kosovës”

Përballja me Serbinë, veriu i Kosovës, projekti i Serbisë që Kosova të del ‘shtet i dështuar’, synimi i Serbisë që të ndikojë në juridiksionin e Gjykatës Speciale, tentimi i Rusisë për ndikimin në Ballkan, pakënaqësitë qytetare, korrupsioni dhe krimi i organizuar, rreziqet sociale e ekonomike, ekstremizmi i dhunshëm që shpie në terrorizëm, dhe zhvillimet globale që mund të ndikojnë në sigurinë rajonale janë sfidat dhe kërcënimet e sigurisë kombëtare të Kosovës gjatë vitit 2017.

Institucionet e Kosovës duhet që në mënyrë urgjente të transformojnë FSK-në në mision të ri ushtarak dhe të mbrojtjes, si dhe të ndërtojnë kapacitetet e plota në mënyrë të mos realizohet projekti i Serbisë për dështimin e shtetit të Kosovës.

Kështu është diskutuar sot (e mërkurë) në Tryezën e Rrumbullakët me titull “Sfidat e Sigurisë së Kosovës 2017”, të organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) dhe Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Prishtinë, njofton Klan Kosova.

Panelistët e kësaj Tryeze ishin: Nehat Mustafa, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Nuredin Ibishi, deputet, Dastid Pallaska, avokat dhe analist politik, dhe Kadri Kastrati, ish-komandant i FSK-së.

Burim Ramadani nga SPRC-ja theksoi se viti 2017 është vit i rëndë për sigurinë e Kosovës dhe qëllimi i tryezës është të identifikojë sfidat e sigurisë dhe të rekomandojë politika të institucioneve të Kosovës në çështje të sigurisë.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, përmendi katër kërcënime të sigurisë së Kosovës.

“Tensioni me Serbinë, ekstremizmi i dhunshëm që shpie në terrorizëm, krimi i organizuar dhe, më i rëndësishmi, shtrirja e ndikimit rus në Kosovë përmes mekanizmave që ajo i kontrollon”, tha ai.

“Veriu i Kosovës është bombë e kurdisur, por kjo situatë është duke u monitoruar në vazhdimësi”, tha zëvendësministri Mustafa.

Deputeti Nuredin Ibishi theksoi rëndësinë e mbikëqyrjes parlamentare mbi sektorin e sigurisë gjatë kësaj periudhe dhe për strategjinë e re të sigurisë kombëtare që duhet të hartohet.

“Me ndryshimin e Ligjit për FSK-në të bëhet i mundur ndryshimi i misionit të FSK-së, që të ecën rrugës së vet të ngritjes së kapaciteteve”, tha deputeti Ibishi.

Ish-komandanti i FSK-së, Gjeneral Kadri Kastrati, theksoi domosdoshmërinë e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura, duke shprehur bindjen e tij se çështjet e mbrojtjes duhet të trajtohen seriozisht.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu