Vidhet foristrada në mes të Tiranës, hajduti e merr me karrotrec (VIDEO)

Një 38-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi organizoi vjedhjen me karratroc të një foristrade, si dhe të një motomjeti në kryeqytet. Siç shihet nga pamjet e mësipërme, 38-vjeçari organizon vjedhjen e mjeteve në mes të ditës, duke i hipur në karrotrecin e tij dhe duke u larguar.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 38 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. S., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti i vjedhur dhe motomjeti i vjedhur, si dhe një aparat celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Karrotreci”.

Shtetasi E. B. dyshohet se është autor i dy vjedhjeve të ndodhura gjatë javës së fundit, konkretisht më datë 27.04.2023, në rrugën “Hoxha Tahsim”, dyshohet se ka vjedhur me një karrotrec, automjetin e shtetases T. N., ndërsa më datë 03.05.2023, në rrugën “28 Nëntori”, dyshohet se ka vjedhur motomjetin e shtetasit A. H., të cilin më pas ia ka shitur shtetasit F. S”, njofton policia.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu