Vihet në pikëpyetje mbajtja e zgjedhjeve më 12 prill në Maqedoni

Derisa nuk rrezikohet anëtarësimi në NATO, 12 prilli i 2020-ës mbetet data për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por kryeministri Zoran Zaev deklaron se nuk do ta lejojë një situatë që do ta pengonte ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare për anëtarësim në NATO, pasi këtë ta kenë bërë 29 vendet anëtare.

Duhet t’i qëndrojmë pas vendimeve të cilët i kemi sjellë me konsensus të gjithë faktorët politik në vend. 12 prillin duhet ta mbajmë si datë. Por përgjegjësia para shtetit na jep të drejtën që gjithnjë të lemë hapësirë për ndryshime shkaku i NATO-s. Nuk do të lejojmë që të mos kemi Kuvend në kohën kur duhet ne ta ratifikojmë anëtarësimin në NATO. Të gjitha 29 vendet anëtare e ratifikojnë dhe kur vjen në Maqedoninë e Veriut si kandidate ne të mos kemi Parlament. Këtë nuk do ta lejojmë që të na ndodhë – tha Zoran Zaev, kryeministër.

Lidhur me propozimin për Qeverinë teknike dhe datën e shpërndarjes së Kuvendit, Zaev shton se për këtë fjalën e fundit do ta thotë Kuvendi. Kreu i Qeverisë shpreh keqardhje për mungesën e kreut të Kuvendit në takimin e liderëve tek presidenti. Por Aleanca për Shqiptarët kundërshton ndryshimin e mundshëm të datës së zgjedhjeve. Sipas nënkryetarit të ASH-së, Ilmi Aziri 12 prilli ka qenë konsensus mbi bazën e afateve të parashikuara edhe për ratifikimin e protokollit.

Ne jemi kundër që zgjedhjet parlamentare të shtyhen sepse në takimin që liderët e partive politike e kishin me presidentin e shtetit janë marrë parasysh të gjitha mundësitë edhe për votimin e ratifikimit të marrëveshjes për anëtarësim në NATO edhe mundësia e votimit në Parlamentin e Spanjës, siç janë pritjet si vendi i fundit që do ta ratifikojë marrëveshjen. Kështu që mendoj se është e papranueshme shtyrja e datës së zgjedhjeve aq më tepër kur ASH-ja ka bërë kërkesë që sa më shpejtë të mbahen zgjedhje parlamentare sepse veçanërisht për shqiptarët është e nevojshme që më në fund të vijë demokracia – u shpreh Ilmi Aziri, nënkryetar i ASH-së.

Kundër shtyrjes së zgjedhjeve është edhe VMRO-DPMNE-ja, lideri i së cilës Hristijan Mickoski ditë më parë deklaroi se deri më 11 shkurt ka kohë të mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare për në NATO. Nga ana tjetër, një qëndrim me kryeministrin Zaev ndan edhe BDI nga ku thonë se për interes të anëtarësimit në NATO, data e zgjedhjeve mund të zhvendoset. Me nevojën për shtyrjen e zgjedhjeve me qëllim mos rrezikimin e protokollit përfundimtar pajtohen edhe subjektet e tjera parlamentare pjesëmarrëse në takimin e liderëve. Që zgjedhjet të mbahen më 12 prill 2020, afati i fundit për shpërndarjen e Kuvendit mbetet 11 shkurti. Në rast se Qeveria pretendon të merr karakterin teknik nga 3 janari, propozimi në Kuvend duhet të miratohet më së voni deri më 31 dhjetor. Ditë më parë kreu i ligjvënësit, Talat Xhaferi kërkesës së kryeministrit Zaev për shpërndarjen e Kuvendit 45 ditë para zgjedhjeve iu përgjigj me citimin e nenit 63 të Kushtetutës i cili përcakton përfundimin e mandatit të deputetëve deri në 60 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Nga ky afat, 50 deri 55 ditë i nevojiten Komisionit Shtetëror Zgjedhor që ta shqyrtoj listën zgjedhore, ta vë në shqyrtim publik dhe më pas subjektet politike ta shqyrtojnë në afat 5 ditor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu