Vjosa Osmani reagon për heqjen e fotografisë së Presidentit Thaçi, tregon arsyen

Kryetarja e re e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar sërish në lidhje me heqjen e fotografisë së Presidentit Hashim Thaçi, pas marrjes së detyrës, duke e zëvendësuar atë me fotografinë e ish-Presidentit Rugova, për të cilën edhe një herë tha se nuk ka shkelur ligjin me një gjest të tillë, dhe ai veprim është në pajtim me Kushtetutën e vendit.

Pas takimit të mbajtur me shefen e Zyrës së BE’së në Kosovë, Nataliya Apostolova, Osmani ka thënë se në asnjë moment nuk ka pasur largim, gjithnjë në respektim të ligjit, duke shtuar që interpretimet se Osmani dëshiron që t’i hakmerret dikujt janë të pavërteta.

“Në asnjë moment nuk është hequr, secili veprim ka qenë në përputhshmëri me ligjin dhe Kushtetutën. Në asnjë moment nuk ka pasur largim gjithnjë në respektim të ligjit. Interpretimet dashakeqe që unë dua t’i hakmerrem dikujt nuk janë të vërteta”, ka thënë Osmani.

Kryeparlamentarja Osmani e cila mori reagime nga Partia Demokratike e Kosovës për një gjest të tillë, sipas të cilëve Osmani ka shkelur Ligjin dhe Protokollon e Shtetit, tutje ka theksuar se ata të cilët dëshirojnë t’i qesin veprimet nga konteksti, do të duhej që para se të bënin një gjë të tillë të ishin vetë shembuj të respektimit të ligjit.

Kujtojmë se Osmani më 3 shkurt u zgjedh kryetare e Parlamentit me 65 vota pro dhe asnjë votë kundër, ndërsa gjatë ditës së djeshme zgjoi reagime të shumta pasi që zëvendësoi fotografinë e Presidentit Thaçi me atë të ish-Presidentit Rugova në zyrën e saj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu