Vlerat shqiptare nëpër botë, bashkë për zhvillimin e kombit

Punimet e ditës së dytë të Samitit të Diasporës (19 Nëntor) u përqendruan në mundësitë konkrete që u ofrohen emigrantëve për më shumë lidhje me Shqipërinë.

Diaspora shqiptare, historike dhe e re, përbën një rast unik, pasi krahasuar me popullsinë në vendin e origjinës, në trojet etnike, ajo është ndër më të mëdhatë në botë.

Si një vend me emigracion të zhvilluar prej më shumë se një shekulli, edhe shtrirja gjeografike e diasporës shqiptare kap thuajse të gjitha kontinentet e banuara. Edhe pse nuk ka një shifër të saktë, në total ajo numëron disa milionë persona, të përqendruar kryesisht në Turqi, SHBA, Greqi, Gjermani, Itali, Zvicër, Suedi, Angli, Kanada, Australi, Argjentinë etj.

Pikërisht nisur nga këto fakte, Samiti i Diasporës shqiptare, që po zhvillohet për herë të parë në Tiranë (18-20 nëntor), mund të cilësohet ndër nismat më të rëndësishme që synon vendosjen e urave të bashkëpunimit me shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Rreth 800 shqiptarë, intelektualë e sipërmarrës të suksesshëm jashtë vendit, nga 40 vende nga të gjitha kontinentet u mblodhën në këtë samit të iniciuar nga Kryeministri Edi Rama.

Në çelje të këtij samiti (18 nëntor), duke ftuar diasporën shqiptare të kontribuojë për zhvillimin e Shqipërisë, Kryeministri Rama tha se “ajo është në fakt një shkollë e vërtetë jete”. Rama konsideroi parësore regjistrimin e çdokujt që flet shqip si dhe sanksionimin e së drejtës të votës për ta.

I ftuar në këtë samit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nënvizoi se diaspora është edhe burim i stabilitetit ekonomik, ndërsa shprehu besimin se samiti i ardhshëm i Diasporës të mbahet në Prishtinë.

Punimet e ditës së dytë të Samitit të Diasporës (19 Nëntor) u përqendruan në mundësitë konkrete që u ofrohen emigrantëve për më shumë lidhje me Shqipërinë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu