VMRO-DPMNE dhe BDI në hall me “Jahja Kemal“-in

Partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI janë në hall lidhur me vendimin për të mbyllur ose jo shkollën e mirënjohur “Jahja Kemal”, që nga Qeveria turke konsiderohet si pjesë e lëvizjes FETO, që ndërlidhet me tentimin e puçit në Turqi, informon INA.

Derisa VMRO-DPMNE nuk ka qëndrim të prerë se çfarë do të vendoset për fatin e kësaj shkolle që funksionon në 6 qytete në Maqedoni, BDI përmes ministrit të saj të arsimit ka bërë të qartë se shkolla nuk do të mbyllet. Ministri i brendshëm, Mitko Çavkov javën e kaluar tha se po shqyrtohen mekanizmat juridike, pasi që në mënyrë indirekte është pranuar se kanë pranuar kërkesën e Turqisë që të mbyllen dhe shpallen të paligjshme ky kolegj, revista “Zaman Maqedoni” dhe ndërmarrje e fondacione.

Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu ka deklaruar dje për Alsat-M se kolegji nuk do të mbyllet. Ai përsëriti qëndrimin se kolegji i plotëson të gjitha kushtet dhe se nga 1 shtatori do të startojë me punë. I pyetur nëse në dikasterin e tij ka mbërritur një vendim e që vetë Lutfiu nuk po e nënshkruan, ky i fundit demantoi këto informacione.

Ndërkaq pas informacioneve në opinionin për mbylljen e mundshme të kolegjit “Jahja Kemal” disa nxënës të regjistruar janë tërhequr nga ky kolegj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu