Partia në pushtet, njëherit edhe partia më e pasur, VMRO-DPMNE, nuk kursen para për të fituar mbështetjen e ndërkombëtarëve. Sipas një marrëveshjeje me kompaninë amerikane Daschle Group, VMRO-DPMNE që nga nëntori i vitit të kaluar paguan nga 49.500 dollarë në muaj për të promovuar partinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nëse kjo kontratë vazhdon ende, atëherë deri tani janë paguar gjysmë milion dollarë vetëm ndaj Daschle group. Një nga shërbimet që ka pëfituar partia në pushtet me siguri është vizita e planifikuar e Gruevskit në Uashington ku pritet të takohet me kongresmenë – informon Zhurnal.
Më herët, VMRO-DPMNE, ka paguar 140 mijë dollarë për kompaninë “Global Security” dhe 53 mijë dollarë për “New Partners Consullting”, që të dyja të përdorura për përmirësimin e imazhit të partisë në politikën amerikane.
Megjithatë, Gruevski nuk ka arritur të blejë çdo gjë, dëshmi për këtë është refuzimi që i është bërë nga kandidatja demokrate për President, Hillary Klinton.