Vogëlushja e plagosur në Halep dhimbjen më të madhe e mban në zemër

Merve Hamza, 12-vjeçarja në mesin e të plagosurve që u evakuua nga lindja e Halepit që është e rrethuar nga ushtria e regjimit të Bashar al Asadit dhe grupet e huaja terroriste pro-regjimit, nga Hatay i Turqisë ku është sjellë, dëshiron që më të përfundojnë ditët e mbushura me dhimbje, raporton Anadolu Agency (AA).

Me bombardimin e shtëpisë së tyre në Halep para pesë ditëve, Merve kishte humbur të ëmën dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa vetë ishte plagosur rëndë pasi kishte ngelur nën rrënoja. Me fillimin e evakuimit nga rajoni, Merve u vendos në njërin nga automjetet e evakuimit nga tezja e saj me të shoqin.

Merve, e cila për shkak të intensitetit kishte humbur në turmë të atin e plagosur dhe vëllain, pas arritjes në kufirin e Turqisë, u transferua në Spitalin Shtetëror të Antakyas.

Vajza e vogël e cila u plagos në kafkë dhe bosht kurrizor, dhimbjen më të madhe pas ditëve të frikshme në Halep e mban në zemër për shkak të humbjes së nënës dhe vëllezërve.

Merve Hamza në gjumë e përmend të ëmën, ndërsa kërkon gjetjen e babait dhe vëllait të humbur.

“E dua nënën time”

Me lot në sy, Hamza rrëfeu për gazetarin e AA-së se madje nuk janë gjetur kufomat e së ëmës dhe vëllezërve.

Duke theksuar se dhimbja është e madhe, Hamza u shpreh se “Vëllezërit dhe nëna më vdiqën. Jetojnë vetëm babai dhe vëllai, mirëpo nuk e di se ku janë edhe ata. Me muaj nuk kemi ngrënë ushqim. Atje secili vdes. Unë e dua nënën time. Gjejini babain dhe vëllain tim.”

Ndërkaq, tezja e saj Yasemin Hamza e cila është kujdesur për vogëlushen, u shpreh se ngjarjet kanë qenë plotësisht të llahtarshme.

Hamza tregoi se me autokolonën kanë ardhur në Idlib. “Përjetuam shumë dhimbje. Jemi lodhur. Kemi humbur shumë persona. Në Halep nuk ka as shtëpi për të qëndruar, as jetesë. Familja e mbesës sime është bërë pikë e pesë. Duke fjetur vazhdimisht e thërret të ëmën. Në jetë i kanë ngelur vëllai dhe babai, mirëpo nuk e di se ku janë momentalisht. E di se kanë hipur në autobus, por nuk po marrim lajm. Gjëja e vetme që dua është të gjenden dhe të më sillen kufoma e motrës sime dhe fëmijëve të saj”, u shpreh Hamza.

Hamza theksoi se falënderon Turqinë që ua ka zgjatur dorën e ndihmës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu