“Vriti shqiptarët”, “Kosova është Serbi”: Si plasi racizmi i Serbisë kundër shqiptarëve në Katar

Një lojë futbolli që nuk është vetëm sport. Por edhe arenë e mbushur me gjëra jo sportive, përfshirë sharjeve, nacionalizmit, thirrjeve për vrasje e racizmit.

Natyrishëm, ekipi i Serbisë është kryeprotagonisti i këtij artikulli. Në Katar ajo shfaqi përsëri racizëm kundrejt shqiptarëve e shovenizëm ndaj Republikës së Kosovës.

Atmosfera në ndeshjen Zvicër-Serbi ishte e tendosur, teksa temperaturat si jashtë stadiumit, ashtu edhe brenda ishin të larta. Ishte një shfaqje tipike serbe: ca sharje mbi baza etnike, një kacafytje me Xhakën, provokime.

Përveç lojëtarëve në fushë, të tilla gjëra servoi edhe trajneri i kombëtares serbe, Dragan Stojkoviq Piksi. Sigurisht, as tifozët serbë nuk qëndruan duarkryqë.

Madje aty pati edhe kërkesa për vrasje masive të shqiptarëve, teksa u këndua vargu tashë i kthyer në himn e kumt: vritni, vritni shqiptarët.

Goli i Vlahoviqit që e kaloi në epërsi Serbinë, solli një moment gëzimi për Serbinë, por vetëm të shkurtër. Mjaftueshëm sa për të parë ca sharje mbi baza etnike të shqiptarëve.

Dragan Stojkoviq, përzgjedhës i Serbisë, i njohur për qëndrime nacionaliste e ksenofobe ndaj shqiptarëve, nuk u përmbajt, duke ofenduar rëndë shqiptarët.

Ai u kap nga kamerat teksa shante në një gjuhë të ashpër shqiptarët, e cila ishte pjesë e festës pas përmbysjes momentale të rezultatit karshi Zvicrës. Ai shau me nënë shqiptarët duke zgjedhur fjalët prej më banaleve.

Provokimet nuk përfunduan me kaq. Pankina serbe nervozoi keq Grani Xhakën, yllin shqiptar të Zvicrës, i cili nuk u përmbajt duke sharë kampin serb.

E në fushë, gjakrat vluan kah fundi i ndeshjes, gjersa ekipi i Serbisë e shënjestroi Xhakën, futbollistit me prejardhje nga Llapi. Ishte futbollisti Milenkoviq që e provokoi z. Xhakën, e cila pastaj eskaloi në një përleshje në fushë, e ku për çudi Xhaka e ruajti qetësinë si një profesionist.

Pas disa minutave rrëmujë, gjyqtari kryesor i ndeshjes riktheu qetësinë në fushë, ndonëse provokimet vazhduan dhe Xhaka, ndër të tjerë, u ndëshkua me një karton të verdhë.

Në një moment kur nervat kapluan lojtarët në fushë, mendësia shoviniste u vu në pah nga tifozët serbë, të cilët thërrisnin me korin e marrëzishëm “vritni, vritni shqiptarët”. Ky kor, që fton në vrasje e dhunë ndaj shqiptarëve, u dëgjua gjatë rrëmujës së krijuar në fushë, ku Xhaka ishte përsëri shënjestra e provokimeve.

“Kosova është zemra e Serbisë”, qenë po ashtu thirrjet që nuk munguan në tribuna.

Me shumë gjasë, ky ishte edhe momenti kur Xhaka eskaloi, duke sharë në shqip.

Pas ndeshjes, trajneri serbë dhe lojëtarët nuk është se eskaluan tutje me deklarata.

Por Serbia nuk u soll mirë as në ndeshjet e tjera. Serbia preferoi të provokojë në Kupën e Botës “Katari 2022”, duke thyer edhe rregullat e FIFA-s që ndalojnë të gjitha shfaqjet politikisht jo korrekte në tribuna e fushë gjelbër.

Mbi hartën e Kosovës, republikës së pavarur e sovrane kosovare, ekipi serb vendosi ngjyrat e flamurit të Serbisë, duke shkruar mbi të një mbishkrim provokues e skandaloz.

“Nuk ka dorëzim” – ishte shkrimi që u shpalos nga serbët mbi Kosovën e “lyer” me ngjyrat e flamurit serb.

Për këtë rast, FIFA hapi procedurat kundër Federatës së Futbollit të Serbisë, pasi flamuri dyshohet të jetë i varur në dhomën e zhveshjes së ekipit serb që po përgatitej për t’u përballur me Brazilin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu