Zaev propozon Qeveri të zgjeruar, Ahmeti kundër, Gashi i gatshëm për ridefinim të sistemit qeverisës

Për herë të parë, kryeministri Zoran Zaev e hap mundësinë për formim të një Qeverie për shpëtim nacional, në të cilën do të bënte pjesë edhe opozita. Ai në një intervistë për “Slloboden Peçat”, tha se ofron bashkëpunim në çdo aspekt.

“Ofrojmë bashkëpunim në çdo aspekt të mundshëm. Gjithçka që duhet të bëjmë, le ta bëjmë, por është patjetër të keni dikë në anën tjetër për të biseduar. Këtë po e them për herë të parë – dua të hap një debat për pushtet dhe Qeveri të përbashkët me opozitën. Por, vetëm nëse ekziston një person me të cilin mund të bisedohet, me z. Mickoskin nuk bisedohet”, tha Zaev.

Edhe pse ka mandat edhe tre vjet, gjegjësisht deri në vitin 2024, Zaevi thotë se edhe në rrethana të tilla ofron mundësi për debat. Doreza e hedhur nga Zaevi, u prit me reagim të ashpër nga VMRO DPMNE. Kreu opozitar, Mickoski është në izolim, ndërsa Milloshoski tha se kjo konfirmon se Maqedonia ka nevojë për një qeveri të re dhe të ndryshme.

“Nëse Qeveria e ekspertëve në krye me një njeri i cili do të ishte një person i përbashkët dhe i pranueshme mbipartiak i cili do të mund ta udhëheqë vendin deri në zgjedhjet lokale, e pastaj të organizohen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, ne jemi të gatshëm të bisedojmë për koncept të tillë”, thotë Antonio Milloshoski.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë se është e shëndetshme të ketë opozitë, duke shmangur të japë koment konkret lidhur me ofertën e Zaevit.

“Opozita jep vërejtjet e saj, bile edhe nëse ato nuk janë të drejta, sepse roli i opozitës, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjitha vendet e avancuara… Vetëm në raste të veçanta ata mund të bëhen pjesë e një procesi të rëndësishëm, sepse në të kundërtën ata kanë për detyrë të mos bien dakord me shumicën parlamentare”, vlerëson Ahmeti.

Kjo nuk është një ide e re. Ne e kemi thënë ketë edhe më parë kur folëm për polarizimin e shtetit, thotë për TV21 , lideri i Alternativës, Afrim Gashi.

“Nëse ka vullnet të sinqertë për të biseduar për ridefinimin e modelit të qeverisjes, ne jemi të gatshëm të bisedojmë. Është e rëndësishme të kemi një shtet koheziv dhe funksional, për të cilin jemi duke folur që nga viti 2014”, tha Gashi.

A do të kontribuonte Qeveria e zgjeruar për pajtim të brendshëm dhe a do të krijonte një kulturë tjetër politike? Sipas Zaevit, qëllimi do të jetë depolitizimi i administratës dhe eliminimi i klientelizmit në gjyqësor, kurse si shembull i ceki partitë gjermane që janë në pushtet tashmë 15 vjet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu