Zaev: Zgjidhja për shtetësinë, javën e ardhshme

Një ditë pas takimit me opozitën shqiptare, kryeministri Zoran Zaev paralajmëron se në fillim të javës së ardhshme do të arrihet zgjidhje për Ligjin për shtetësi. Sipas Zaevit, shumë prej dilemave lidhur me ndryshimet në Ligjin për shtetësi tashmë janë tejkaluar, ndërsa detajet do të përpunohen nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë.

“Vendi ynë me ndërhyrjen në Ligjin për shtetësinë të vitit 2004 jep një mundësi përmes së cilës që qytetarët tanë apatrid që nuk kanë shtetësi të aplikojnë dhe të fitojnë atë… Besoj se nuk mund të ketë 1500 deri 2 mijë. Po të ishte edhe një person i vetëm ne do ta përfundojmë këtë”, theksoi Zaev.

Koordinatori i ASH-AAA, Skender Rexhepi dje u shpreh optimist për arritjen e një zgjidhjeje për të gjithë ata persona që nuk kanë shtetësi. “Nga ana e qeverisë kishte disponim për diskutimin e ligjit, po ne insistojmë të kemi një ligj të përcaktuar mirë. Pikat që i diskutuam në takim janë të rëndësishme do ti diskutojmë edhe me kryetarët e dy partive politike. Ne këmbëngulim që të ketë një zgjidhje ligjore për çështjen e shtetësisë. Prandaj mendoj që jemi në rrugë të mbarë që brenda javës të ritakohemi për të diskutuar çështjet”, tha Skender Rexhepi, koordinator i ASH-AAA. Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për të drejtat e njeriut ka shprehur shqetësime se mijëra qytetarë në Maqedoninë e Veriut kanë probleme me mospasjen e shtetësisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu