Amet Osmani, zëvendëskryeredaktori i revistës “Zaman Maqedoni” në Shkup thotë se revista e tyre nuk ka të bëjë asgjë me Turqinë dhe se ajo është kompani mediale e themeluar nga shtetas të Maqedonisë . Reagimi i tij vjen pasi që agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadollu Agency” edhe këtë revistë që del në Maqedoni e ka futur në listën e organizatave dhe kompanive që dyshohen për lidhje me lëvizjen FETO të klerikut Fetulla Gylen, që dyshohet për tentimin e puçit muajin e kaluar në Turqi.
“Ne jemi një institucion krejtësisht vendas, siç edhe theksova, Zaman Maqedoni është themeluar në vitin 1994 dhe themeluesit e tij kanë qenë krejtësisht nënshtetas të Republikës së Maqedonisë, përfshirë këtu edhe punonjësit e gazetës Zaman. Të gjithë jemi nënshtetas të Maqedonisë, kështu që nuk kemi të bëjmë fare me Republikën e Turqisë nga asnjë aspekt”, theksoi Amet Osmani.
Te njëjtën e thotë edhe Syrja Tauk, zëdhënës i kolegjit “Jahja Kemal”. Ai në deklaratën për Tv21 thotë se ky institucion arsimor nuk ka asnjë lidhje me Turqinë dhe se punojnë sipas ligjeve të Maqedonisë. Sipas tij, nuk paraqet ndonjë kërcënim për ta deklarata e djeshme e ministrit të brendshëm Mitko Çavkov se po kërkohen mekanizma juridik për tiu përgjigjur kërkesave të institucioneve legjitime të Turqisë.
“Punojmë në Maqedoni, jemi brend i Maqedonisë, pasi që Jahja Kemal nuk ka asnjë lidhje institucionale me Turqinë, punojmë me ligjet e Maqedonisë, i praktikojmë ato dhe s’kemi pasur asnjë ankesë deri tani”, thotë ai.
Ministri i Punëve të Brendshme Mitko Çavkov i pyetur dje nga gazetarët nëse Maqedonia do të zbatojë kërkesat e autoriteteve turke për mbylljen e organizatave dhe kompanive që dyshohen për lidhje me lëvizjen FETO tha se po kërkohen mekanizma juridike.
“Ne japim mbështetje të fortë institucioneve legjitime në R. e Turqisë. Pyetjen që e parashtroni ju paraqet operacionalizim përkatës dhe me siguri do të kërkohen mekanizma juridik në Maqedoni për realizimin e qëllimeve të caktuara”, deklaroi Çavkov.
Sipas agjencisë shtetërore turke të lajmeve “Anadollu Agency”, në listën e organizatave dhe firmave që funksionojnë në Maqedoni dhe që mendohet të kenë lidhje me Fetulla Gylenin janë: kolegji “Jahja Kemal”, revista “Zaman Maqedoni”, Organizata “Sedef”, Shoqata e Biznesmenëve dhe disa kompani e fondacione humanitare.