Celulari po ju shkatërron trupin. Sipas një raportimi në New York Times, të varurit nga telefonat e tyre po zhvillojnë një problem të ri që quhet “qafa e mesazheve”. Është rritur numri i të rinjve që po zhvillojnë probleme me qafën dhe me shpinën prej mbajtjes së vazhdueshme të kokës ulur në telefon. Mjekët kanë filluar të detektojnë te pacientët e tyre një përkulje të vertebrave të qafës.
Kjo ndodh sepse koka e ka masën rreth 5 kilogramë. Edhe pse nuk duket shumë, është një masë e madhe duke pasur parasysh që qafa juaj duhet ta mbajë gjatë gjithë ditës. Sigurisht që edhe graviteti ka ndikimin e tij. Në momentin që ju ulni kokën për të shkruar në celular, forca e rëndesës te qafa juaj rritet me 22 kilogramë të tjera.
Kur i gjithë ky presion vendoset te qafa juaj, kjo shkakton humbjen e harkut të shtyllës kurrizore e për pasojë çon në probleme të tjera. Por ky nuk është problemi i vetëm. “Qafa e mesazheve” ndikon edhe në shëndetin mendor. New York Times raporton se gjendja juaj mendore dhe sjellja ndryshon në varësi të qëndrimit tuaj. Sipas një studimi, njerëzit me posturë të keqe janë më të dëshpëruar dhe kanë vetëvlerësim më të vogël.
Për t’i shmangur këto probleme nevojitet që herë pas here të ulemi drejt dhe mos ta kontrollojmë telefonin çdo minutë.