“Ballkani Perëndimor nuk është dhe s’duhet të jetë kurrë një periferi e lënë mënjanë nga Perëndimi. Ai është dhe duhet të mbetet“zemra që rreh” e së tashmes dhe e së ardhmes së familjes së madhe evropiane.” Kështu shprehet në një intervistë për portalin “Balcani Caucaso” Massimo Castaldo, zëvendëspresident i Parlamentit Evropian. Castaldo kërkon hapjen sa më shpejt të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Procesi i zgjerimit të BE-së duket se ka mbetur në vend. A është kjo thjesht një dispozitë e përkohshme apo një ndalesë përfundimtare?
Padyshim që unë do ta përjashtoja hipotezën e një ndalese përfundimtare, dhe nuk do të flisja as për mënjanim, por më tepër për ngadalësim dhe përsosje të një procesi historik që mund të vazhdojë përpara, nëse nuk përmbushet vërtet ideali evropian i Etërve Themelues të BE-së.
Sigurisht, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor ka pësuar disa pengesa vitet e fundit. Kishte shumë pritshmëri nga samiti i KE-së në tetor të vitit 2019, por patëm veton e palëkundur të Francës, Danimarkës dhe Holandës kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
U deshën përpjekjet diplomatike të 9 vendeve me Italinë në krye,që të kalohej ai ngërç. Tani kemi metodologjinë e re të negociatave, që nëse zbatohet si duhet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mund të përfaqësojë vërtet një vlerë të shtuar për ta përshpejtuar procesin e pranimit.
Mendoj se BE duhet që ta braktisë logjikën e interesit të lidhur thjesht me dimensionin ekonomik apo me mosmarrëveshjet shekullore, që nuk gjejnë ndonjë konfirmim efektiv në botën bashkëkohore. Prandaj, negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të hapen sa më shpejt të jetë e mundur, teksa duhet të ketë progres me Beogradin dhe Podgoricën.
Kjo nuk do të thotë të mohohet fakti se nga vendete Ballkanit do të nevojiten më shumë përpjekje të tjera në të gjitha aspektet, nga parimet themelore në anën ekonomike, tek miratimi i një modeli më të qëndrueshëm të prodhimit, deri në përafrimin me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.
A mendoni se mund të ketë një plan B në Bruksel, që nuk parashikon më përfshirjen e plotë të Ballkanit Perëndimor në BE, në kundërshtim me atë që u ishte premtuar këtyre vendeve në vitin 2003 në Samitin e Selanikut?
Për mendimit tim, nuk mund dhe nuk duhet të ekzistojë absolutisht asnjë plan alternativ B
për anëtarësimin e plotë të Ballkanit Perëndimor brenda Bashkimit Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e bëri të qartë në fjalimin e saj vjetor të vitit të shkuar, se BE-ja dhe Ballkani Perëndimor ndajnë jo vetëm të njëjtën histori, por edhe të njëjtin fat. Prandaj,Ballkani Perëndimor nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë një periferi e lënë mënjanë nga Perëndimi. Por ai duhet të mbetet“zemra që rreh”e së tashmes dhe të ardhmes së familjes së madhe evropiane.
Për vite me radhë, procesi i thellimit dhe ai i zgjerimit të BE-së janë përmendur dhe përdorur si përjashtuese të njëra-tjetrës. A mendoni se është e mundur që të reformohet BE-ja duke vazhduar rrugën e zgjerimit?
Kjo qasje bazohet në supozimin e gabuar se zgjerimi mund ta parandalojë disi integrimin e mëtejshëm. Gabimi i këtij supozimi tregohet nga vetë historia. Në fakt, duke analizuar “valët” e ndryshme të zgjerimit, ku më e spikatura mbetet ajo e vitit 2004 me 10 vende të reja anëtare, shumë prej të cilave i përkasin hapësirës ish-komuniste, ne shohim një transferim progresiv të sovranitetit nga shtetet kombëtare në nivelin mbi-nacional.
Mendoni për shembull për atë që konsiderohet nga shumë si prerogativë absolute e shteteve kombëtare, mbrojtjen. Sot kemi Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, CSDP, që përfaqëson një shtyllë themelore të veprimit të jashtëm të BE-së, duke siguruar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vendet fqinje me unionin.
Sigurisht, për të arritur integrimin e vërtetë evropian në këtë dhe sektorë të tjerë mbetet shumë për të bërë, por është e qartë se që nga viti 2004 janë shënuar hapa të panumërta përpara, të cilat më bëjnë të mendoj për një gotë më shumë se gjysmë të mbushur sesa gjysmë bosh.
Është një fakt që pasiguritë e BE-së ndaj Ballkanit, e kanë shndërruar këtë rajon në një zonë të rivalitetit gjeopolitik. Rusia, Kina dhe Turqia po plotësojnë tani boshllëkun e lënë nga Evropa. A është ende e mundur të kthehet pas kjo tendencë, dhe nëse po, çfarë duhet të bëjë Brukseli?
Falë edhe mosveprimit të BE-sënë disa aspekte, aktorë të tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë e kanë vendosur Ballkanin Perëndimor në qendër të agjendës së tyre gjeopolitike, me synim rritjen e ndikimin e tyre në rajon.
Midis tyre ka vende që kanë pasur gjithmonë një ndikim të fortë në dinamikën rajonale për shkak të lidhjeve historike, tradicionale dhe fetare, të tilla si Rusia, tradicionalisht një kampione e pansllavizmit dhe ortodoksisë, dhe Turqia e joshur nga rimëkëmbja e projeksionit të epokës së saj otomane. Por mbi të gjitha spikat Kina, që e ka forcuar statusin e saj gjeopolitik në rajon përmes dy metodave,“pro-aktive” dhe “shkatërruese”.
Të parat bazohen në investime thelbësore të drejtpërdrejta në sektorë të shumtë, që krijojnë gjithmonë varësi ekonomike, por vetëm ndonjëherë sjellin përfitime reale për popullatat lokale. Nga ana tjetër, qasja shkatërruese bazohet në përhapjen e lajmeve të rreme dhe krijimin e fushatave të vërteta dezinformuese që synojnë diskreditimin e Perëndimit si një partner jo i besueshëm, moralisht dekadent, të pa interesuar dhe të paaftë për të mbajtur zotimet e marra.
Përmbysja e kësaj tendence nuk është vetëm e mundur, por është edhe një domosdoshmëri. BE ka ndarë kohët e fundit 70 milionë euro tek vendet e rajonit për të lehtësuar procesin e vaksinimit. Por elementi më kryesor do të lidhet me aftësinë e BE-së për t’i dhënë një perspektivë konkrete evropiane Ballkanit Perëndimor, duke përdorur plotësisht potencialin e ofruar nga metodologjia e re për zgjerimin.
Balcani Caucaso









