Gafa në ceremoninë e çmimeve Oscar, “Moonlight” shpallet filmi më i mirë (FOTO)

Ceremonia e madhe e ndarjes së çmimeve Oscar, e organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave në SHBA, u shoqërua me shumë emocione, por që nuk munguan as gafat, pasi çmimi për filmin më të mirë të vitit 2016 e fitoi “Moonlight”, por më parë u prezantua si fitues gabimisht filmi “La La Land”.

Përpara përfundimit kaotik, ceremonia u zhvillua normalisht, edhe pse ka pasur deklarata politike dhe kritika ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, përfshirë sulme për politikat e tij të imigrimit.

Një prej deklaratave më të fuqishme erdhi prej regjisorit iranian, Asghar Farhadi, filmi i të cilit “The Salesman” fitoi Oscar në kategorinë e flimit më të mirë në gjuhë të huaj.

Farhadi bojkotoi ceremoninë në shenjë proteste ndaj përpjekjeve të Trumpit për të goditur imigrantët.

Inxhinierja iraniane, njëherësh turiste në hapësirë, Anousheh Ansari, e mori çmimin në emër të Farhadit.

“Më vjen keq që nuk jam me ju sonte. Mungesa ime është nga respekti për njerëzit e vendit tim dhe ata të gjashtë vendeve të tjera, që janë përçmuar me ligjin çnjerëzor, i cili u ndalon migrantëve hyrjen në SHBA”, tha regjisori Farhadi në deklaratën që e lexoi Ansari, raporton “rel”.

“Ndarja e botës në ‘ne’ dhe ‘armiqtë tanë’ krijon frikë, një arsyetim të rremë për agresion dhe luftë”, tha tutje regjisori iranian
Filmi i tij “The Salesman” është një dramë, e bazuar në Teheran, që flet për luftën e një çifti të martuar, pasi gruaja është sulmuar në apartament, derisa ishte vetëm.

“La La Land”, një muzikal, i nominuar për 14 Oscar-e, fitoi gjashtë, përfshirë çmimin për aktoren më të mirë dhe regjinë më të mirë.

Prezantuesi tjetër i ceremonisë në Los Angeles, Warren Beatty, bëri pauzë para se të lexonte emrin e fituesit të madh. Ai tha më vonë se ka hezituar kur ka parë zarfin që lexonte emrin e aktores më të mirë, Emma Stone, nga “La La Land”, por që u mor dhe u lexua gabimisht nga kolegia e tij.

“Nuk është shaka. Moonlight ka fituar”, tha Beatty, duke treguar zarfin nga kamera.

Filmi “Moonlight” trajton rritjen e një djali, duke kaluar një fëmijëri të rëndë në Majami, me një nënë të varur nga droga.
Një dokumentar për luftën në Siri, ndërkaq, i titulluar “The White Helmets” fitoi Oscar për dokumentarin më të mirë të shkurtër.

Çmimin e aktorit më të mirë e mori Casey Affleck për rolin në filmin “Manchester by the Sea”.
Oscar-in për aktorin më të mirë mbështetës e mori Mahershala Ali në filmin “Moonlight”, ndërsa të aktores më të mirë mbështetëse e mori Viola Davis në filmin “Fences”.

Skenari më i mirë origjinal: Manchester by the Sea (Kenneth Lonergan)

Skenari i përshtatur: Moonlight (Barry Jenkins dhe Tarell Alvin McCraney)

Aktorja më e mirë në rol dytësor: Viola Davis – Fences
Kostumografia: Fantastic Beasts and Where to Find Them (Colleen Atwood)

Dizajn produksioni: La La Land (David Wasco dhe Sandy Reynolds-Wasco)

Makijazhi dhe stili flokëve: Suicide Squad (Alessandro Bertolazzi, Giorgio Gregorini dhe Christopher Nelson)

Kinematografia: La La Land (Linus Sandgren)

Editimi: Hacksaw Ridge (John Gilbert)

Editimi i zërit: Arrival (Sylvain Bellemare)

Miksimi i zërit: Hacksaw Ridge (Kevin O’Connell, Andy Wright, Robert Mackenzie dhe Peter Grace)

Efektet vizuale: The Jungle Book (Robert Legato, Adam Valdez, Andrew R. Jones and Dan Lemmon)

Filmi i shkurtër i animuar: Piper (Alan Barillaro dhe Marc Sondheimer)

Filmi i animuar: Zootopia (Byron Howard, Rich Moore dhe Jared Bush)

Aktori më i mirë në rol dytësor: Mahershala Ali (Moonlight)

Filmi i shkurtër dokumentar: The White Helmets (Orlando von Einsiedel dhe Joanna Natasegara)

Filmi më i mirë dokumentar: O.J.: Made in America (Ezra Edelman)

Filmi i shkurtër (live action): Sing (Kristof Deak dhe Anna Udvardy)

Filmi i huaj më i mirë: The Salesman (Asghar Farhadi)

Kolona zanore: La La Land (Justin Hurwitz)

Muzika – kënga origjinale: La La Land – City of Stars (Justin Hurwitz, Benj Pasek dhe Justin Paul)

Regjisori më i mirë: Damien Chazelle (La La Land)

Aktorja më e mirë në rol kryesor: Emma Stone (La La Land)

Aktori më i mirë në rol kryesor: Casey Affleck (Manchester by the Sea)

Filmi më i mirë: Monlight

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu