Lorik, vetëm ti mund të rikthesh “Tifozat Kuq e Zi”!

Dy ditët e fundit Lorik Cana ishte personazhi kryesor i medieve sportive dhe jo vetëm, në Itali dhe në Shqipëri. Në vendin fqinj u lakua për një rikthim për te Lazio, por vetë ish-kapiteni legjendar i Kombëtares shqiptare i ka mbyllur shpejt këto thashetheme, duke deklaruar se me futbollin e luajtur e kishte mbyllur, edhe për faktin se për 15 muaj me radhë ai nuk është stërvitur.

Por më shumë se sa rikthimi thuajse i pamundur te Lazio, lajmi që u interesoi shqiptarëve ishte ceremonia madhështore që FSHF pritet të bëjë për ish-futbollistin e Kombëtares, që mban edhe rekordin e ndeshjeve, plot 93 aktivizime. Cana do të japë lamtumirë para 16 mijë spektatorëve në “Loro Boriçi” të Shkodrës para ndeshjes me Italinë, më 9 tetor.

Jo pak tërhoqi vëmendjen edhe letra e hapur e “Tifozave Kuq e Zi”, që i luteshin ish-futbollistit kuqezi për ta shtyrë ceremoninë e lamtumirës, me arsyetimin se ata ende janë në bojkot dhe nuk do të jenë në ndeshjen me Italinë, edhe pse në Spanjë do të jenë prezent. Loriku nuk u ka kthyer një përgjigje dhe këtu idhulli i tifozërisë kuqezi mund të bëjë diçka madhore.

Po çfarë mund të bëjë Loriku? Së pari, të ulet dhe të flasë me grupimin “Tifozat Kuq e Zi”, të kuptojë kërkesat e tyre për t’u rikthyer në stadium. Duke shfrytëzuar njohjet dhe imazhin e mirë të kapitenit, Loriku mund të ulë në tryezë përfaqësues së FSHF-së, Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të tifozërisë.

Mendoj se Lorik Cana është i vetmi në këto momente, që duke shfrytëzuar ceremoninë e lamtumirës së tij, mund të rikthejë që në ndeshjen Shqipëri-Itali grupimin më fanatik dhe më besnik të Kombëtares shqiptare. Loriku është patriot dhe mjaft miqësor, do dijë t’i prekte të gjitha palët, për të hapur një kapitull të ri. Shpresoj që shumë shpejt Cana të takojë “Tifozat Kuq e Zi” dhe të ulet me ta.

E ç’kuptim do të kishte ceremonia e lamtumirës nëse në stadium do të mungonin “Tifozat Kuq e Zi”! Të dyja palëve u dhemb kjo, edhe tifozëve që nuk do të jenë aty për të parë në fushë idhullin e tyre. E pra, është momenti më i mirë që “Tifozat Kuq e Zi” të kthehen në stadiumet tona për të ndjekur Shqipërinë. Asnjë më mirë se Lorik Cana nuk do ta bënte këtë… /Konica


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu