Ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, e ka shprehur përsëri dëshirën e tij për t’iu kthyer futbollit vitin e ardhshëm, por e ka pranuar se do të ishte shumë e çuditshme për të kthimi në ndonjë vend pune në Angli.
69-vjeçari ka mbetur pa punë që nga largimi i tij nga Arsenal këtë verë, pas 22 viteve si trajner i klubit londinez. Megjithatë, ai është shprehur i gatshëm të fillojë punën sërish qysh në janar, transmeton Gazeta Express/
“Sigurisht do të filloj në fillim të vitit 2019. Për momentin jam duke pushuar dhe duke shikuar shumë ndeshje futbolli. Jam këtu në Wembley, ku kam luajtur shumë ndeshje dhe kam kujtime të mira dhe normalisht që të mungon kjo gjë”, ka thënë Wenger.
“Kam thënë shumë herë që opsioni më i mirë do të ishte të mos kthehesha në Angli sepse kam kaluar shumë kohë atje në të njëjtin klub dhe do të ishte shumë e çuditshme për mua të punoj në një klub tjetër”.
“Por, për momentin nuk mund të ju tregoj për të ardhmen time sepse nuk e di as unë. Nuk e di se ku do të jem. Unë do të jem diku, por nuk e di se ku”. /Gazeta Express/










