8 Marsi i parë në azil: Nënë e 4 fëmijëve, 69-vjeçarja e kalon pleqërinë në Shtëpinë e të Moshuarve

Ka kaluar gati një vit që kur Sulltana Lato kapërcehu për herë të parë pragun e Shtëpisë së të Moshuarve në Tiranë.

Nuk ja rrokte kurrë mendja se pleqërinë do e kalonte brenda këtyre mureve që e mbajnë larg nga të dashurit e saj.

“Nuk e mendoja se do të shkoja në azil,” tha ajo.

Me rrogën e ulët të sanitares rriti me vështirësi katër fëmijë.

Pas vdekjes së bashkëshortit ata nuk ja hapën derën e shtëpisë por i sugjeruan jetesën në azil.

“Më vdiq burri mua dhe ngela vetëm. I thashë djalit:”Ke mundësi të më mbash?” Dhe më tha: “Mami unë nuk të mbaj dot,” dhe erdha këtu. S’kisha ku të shkoja,” tha ajo.

Tregon se ditët e parë në këtë institucion ishin të trishta.

“Mërzitje, në fillim po pastaj me kalimin e kohës u mësova,” tha ajo.

Të afërmit e vizitonin rrallë.

“Një herë në vit,” tha ajo.

Megjithatë 69-vjeçarja nga Vlora thotë se nuk u mban mëri fëmijëve që nuk e lejuan të jetonte pranë nipërve e mbesave.

“Çfarë tu mbaj mëri unë, tu them lërini fëmijët dhe shtëpitë dhe merruni me mua,” tha ajo.

I ka mbetur peng që nuk ja doli dot të siguronte një shtëpi.

“Po të kisha shtëpinë time, nuk vija këtu,” tha ajo.

Sot është pajtuar me fatin e saj e thotë se në Shtëpinë e të Moshuarve ndihet mirë.

“Kam një shoqe në dhomë. Kam këto tek dhoma ngjitur . Mblidhemi në korridor, qeshim,” thotë ajo.

Në këtë 8 Mars ende nuk ka marrë urimin e fëmijëve.

“Tani pres nga vajzat dhe nga djali,” tha ajo.

Në pritje që zilja e telefonit të bjerë, Ditën e Gruas do e festojë me shoqet e dhomës, bashkudhëtaret e ditëve të pleqërisë.

Video:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu