Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka njoftuar se LDK-ja do të iniciojë mocion mosbesimi për qeverinë Kurti. Ai tha se këtë e kanë diskutuar në Kryesi dhe se kanë vendosur që LDK-ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, sepse nuk dëshirojnë të jenë pjesë e një qeverisje të tillë, njofton Klan Kosova.
Mirëpo, Mustafa mohoi se ka bashkëpunuar me presidentin Hashim Thaçi për propozimin e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme.
“Sa i përket Thaçit s’kemi pasë asnjë marrëveshje me të. Thaçi më është lajmëruar dje pas postimit në Facebook lidhur me nevojën e bashkëpunimit të institucioneve me bindjen e tij se e kam kritikuar se s’po merr masa. Unë i thashë se është një opinion i imi, i një kryetarit të partisë se kemi përgjegjësi politike dhe unë them se ju të bashkëpunoni njëri me tjetrin”.
“Ne s’kemi kërkuar në mënyrë eksplicite që të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme si subjekt politik, përveç mendimit tim që e kam dhënë se është një opsion që të përmbyllet kjo situatë”.