A do të shkelë Putin “vijat e kuqe” të Perëndimit në Ukrainë?

Pushtimi rus i Ukrainës ka sjellë në SHBA një të vërtetë të papëlqyeshme, por shumë sqaruese: me gjithë shprehjet e zemërimit moral dhe nxitjes së retorikës militante, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk do të rrezikojnë të nisin Luftën e Tretë Botërore, gjatë përpjekjeve për të ruajtur pavarësinë e Ukrainës.

Perëndimi është treguar i gatshëm të shpenzojë miliarda dollarë në ndihmë ushtarake dhe humanitare. Por në fund të fundit ukrainasit po luftojnë të vetëm. Dhe për habinë e të gjithëve, po luftojnë jashtëzakonisht mirë. Por situata mund të ndryshojë.

Siç e dimë tashmë, Vladimir Putin është i paparashikueshëm, madje irracional. Ai mund të zgjedhë t’i japë fund luftës përmes një shtegu që t’i japë mundësi të shpallë “fitoren”, duke marrë garanci nga Perëndimi se Ukraina nuk do të anëtarësohet asnjëherë në NATO.

Ose mund të vendosë ta përshkallëzojë luftën, duke shkaktuar akoma më shumë masakra dhe krime lufte, duke vrarë akoma më shumë civilë, duke shkaktuar më shumë shkatërrime në qytetet e Ukrainës.

Putin është akuzuar tashmë, madje edhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, për një luftë gjenocidiale. Kjo nuk është e vërtetë, sepse mund të thuhet se edhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar një luftë gjenocidiale në Vietnam.

Por nëse Putini do të përdorte më shumë forcë vdekjeprurëse në Ukrainë, situata mund t’i afrohej perceptimit të publikut për gjenocidin, dhe do të rritej presioni për të “bërë diçka”.

A do të ndryshonte kjo qëndrimin e Perëndimit ndaj konfliktit?

Është e vështirë të mendohet se që Shtëpia e Bardhë mund të vendosë të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë, edhe nëse shtohen krimet e luftës nga trupat ruse. Akoma më e vështirë është ta shohësh Francën dhe Gjermaninë të bien dakord të angazhojnë trupat e tyre në këtë luftë, dhe të rrezikojnë popullsinë e tyre civile në vendet përkatëse.

Nëse Uashingtoni do të hynte i vetëm në këtë luftë, dhe do të rriste rreziqet në kundërpërgjigje të një përshkallëzimi rus, Putin do të kishte arritur një nga qëllimet e tij afatgjata: dobësimin e NATO-s. Po sikur, një Putin i dëshpëruar, të përdorë një armë bërthamore taktike?

Bazuar në disa biseda që kam pasur me analistë dhe ekspertë, kjo do të ishte pika e fundit e durimit dhe tolerimi për shumë njerëz të moderuar. Madje edhe ata do të mbështesnin një përgjigje ushtarake për ta “ndëshkuar” Putinin. Por është e vështirë ta kuptosh arsyetimin për këtë luftë.

Ndërhyrja ushtarake perëndimore, si një formë proteste kundër përdorimit të një arme bërthamore në Ukrainë nga Rusia, mund të sjellë përdorimin e shumë më tepër armëve bërthamore, dhe përtej Ukrainës. Nëse dëshironi mund ta quani qasje të butë, por zemërimi moral është një mjet i rrezikshme për t’u përdorur në politikën e jashtme.

Parimi gjeopolitik i lënies së ukrainasve për të luftuar vetë për vendin e tyre, nuk do të ndryshojë as me futjen në përdorim të armëve bërthamore dhe as me shkatërrimin total të Kievit. Asgjë që ndodh brenda Ukrainës nuk duhet të na bëjë të “ecim përgjumësh” drejt Luftës së Tretë Botërore.

Na pëlqen apo jo, Vladimir Putin ka vendosur një “vijë të kuqe” rreth Ukrainës dhe ka ofruar arsye historike, kulturore dhe fetare për përdorimin e forcës ushtarake. Nuk ka arsye që ne të pajtohemi me këto arsye (edhe pse disa nga ne janë mjaftueshëm ekspertë në historinë e ngatërruar të Rusisë dhe Ukrainës, për të dhënë përgjigje të zgjuara).

Por ne e kemi pranuar vijën e tij të kuqe. Madje, kemi treguar mirëkuptimin tonë se masat gjysmake si vendosja e një Zone të Ndalimit-Fluturimit në Ukrainë, do të përbënte një shkelje të kësaj linje. Megjithatë, Putini nuk është i vetmi që mund të vendosë “vija të kuqe”.

Në rast se udhëheqësit dhe diplomatët e Perëndimit po bëjnë punën e tyre, ata tashmë i kanë komunikuar atij se Perëndimi ka “vijat e veta të kuqe”. Ukraina mund të jetë një “shesh lojërash” për Putin, por jo për shtetet anëtare të NATO-s. Ndaj, çdo lëvizje kundër Polonisë ose shteteve baltike, do të sillte një përgjigje të plotë dhe të bashkuar.

Vendosja e kufijve është një rrugë me dy drejtime. Është e vërtetë që vijat e kuqe nuk janë gjithmonë mënyra më e mirë për të zhvilluar diplomacinë. Të keqpërdorura, ato mund të prodhojnë mungesë fleksibiliteti dhe të ngjallin shpresa të rreme. Por në kushtet dhe situatat aktuale janë të rrezikshme dhe të paqarta – si statusi i Ukrainës – ato mund të jenë shumë sqaruese. Secilës palë i jepet paralajmërimi se sa larg mund të shkojë.

Perëndimi duhet t’ia bëjë të qartë Putinit se do të luftojë për të ruajtur NATO-n kundër rrezikut ushtarak rus, edhe nëse nuk do të luftojë për hir të pavarësisë së Ukrainës. Kjo është – ose duhet të jetë – vija jonë e kuqe. Dhe nëse do ta gjejmë gjithsesi veten të përfshirë në Luftën e Tretë Botërore, si e vetmja mënyrë për të mbrojtur aleancën e NATO-s, të paktën do ta kuptojmë se përse po luftojmë.

Nga Barry Gewen “National Interest”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu