Qeveria dhe 8 deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja i kanë ofruar Lëvizjes Besa, krahu i Bilall Kasamit që kërkesat e tyre të artikulohen në të veçantë pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese.
Mbrëmë përfaqësues të Besës janë takuar me 8 deputetët e përjashtuar, qëndrimi i të cilëve ka qenë i ndarë, respektivisht një pjesë e tyre pranon kërkesat e Besës ndërsa pjesa tjetër jo.
Jo zyrtarisht mësohet se kryeministri Zoran Zaev ka ofruar garanci në të shkruar dhe me firmën e tij se kërkesat e Besës do të realizohen pas ndryshimeve, por partia opozitare shqiptare është e vendosur që kërkesat e tyre për shtetësi pa termin “maqedonase” të pranohet tani. Derisa Zaev ankohet se kërkesat e Besës janë të papranueshme për 8 deputetët, këta të fundit thonë se problemi i Lëvizjes Besa është me Qeverinë dhe nuk duan të ndërhynë. Takime do të ketë edhe para fillimit të seancës së thirrur në orën 13. (INA)










