Afrim Gashi: Askush nuk e ka shkatërruar BDI-në, më shumë se lideri i saj dhe të afërmit e tij

Sekretari organizativ i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, nëpërmjet një statusi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, iu është kundërpërgjigjur akuzave që këto ditë janë bërë në drejtim të tij. Akuzat se Gashi është deklaruar për rrënimin e BDI-së, edhe atë në bashkëpunim me ndonjë parti maqedonase, Gashi i ka cilësuar si shpifje, duke thënë se askush më tepër se vetë lidershipi i BDI-së nuk e ka shkatërruar këtë parti. Ja edhe postimi i tij i plotë:

“Asnjëherë në jetë nuk jam marrë me rrënimin e gjërave por vetëm me ndërtimin e tyre. Edhe kur jam marrë me muzikë, me botime apo kur jam marrë me shkrime, tekste e analiza, por edhe kur kam vendosur të hy në politikë, kam hyrë me qëllimin e vetëm që të kontribuoj aq sa mundem, për të mirën e popullit tim.
Për ti bërë gjërat si duhet dhe mirë, është e domosdoshme të dish se kush është shkaktari që janë bërë punët keq. Unë personalisht dhe bashkëmendimtarët e mi të Lëvizjes BESA, jemi të bindur se dy liderët e binomit VMRO-BDI janë përgjegjësit më të mëdhenj, sepse lejuan që partitë e tyre të bëhen çerdhe e krimit dhe korrupsionit dhe një grusht i tillë i njerëzve të vendos për gjërat më të rëndësishme në parti e shtet, kështu që sot gjendja e shtetit e sidomos e shqiptarëve është ashtu siç të gjithë e dimë se është – tmerrësisht e keqe dhe e rëndë. Asnjëherë nuk kam thënë se dua ta rrënoj BDI-në e as ndonjë njeri, kushdoqoftë ai, aq më pak do më kishte shkuar mendja të bashkëpunoja me parti maqedonas për të rrënuar dikë – por shpifësit nuk kanë punë tjetër.
Dhe, kur jemi te rrënimi, nëse ka dikush që e ka rrënuar BDI-në janë një grusht njerëz, të afërt me liderin të cilët u futën në krim e korrupsion, u pasuruan vetë dhe familjet e tyre, shitën interesat e shqiptarëve dhe u bënë pengje të Sasho Mijallkovit dhe të shërbimeve tjera serbo-ruse. Andaj, vendoni gishtin në kokë dhe keni kujdes me shpifjet që i prodhoni se kjo urrejtje që po mbillni nuk i shërben askujt. As unë, as Lëvizja BESA, askush tjetër nuk mund ta dëmtojë BDI-në aq sa e keni shkatërruar ju.
Jemi vend i vogël dhe njihemi mes vete shumë mirë. Ju që deri dje hiqnit brekët si tifoz, sot keni hequr brekët edhe në politikë para maqedonasve dhe dëshironi të fajësoni dikë tjetër?! Kjo nuk është as politike, e aq më pak njerëzore, por e kam të qartë se secili e bën betejën me atë që e ka në shpirt. Unë dhe shokët e mi do të vazhdojmë të bëjmë betejën për vlera, dinjitet, harmoni, dashuri, ndershmëri, sinqeritet, dituri e drejtësi e ju vazhdoni siç e keni nisur, me shpifje, mashtrime, urrejtje, krim, korrupsion, shantazhe, kërcënime e ofendime.
Beteja mes të mirës e të keqes ka filluar me ekzistencën e vet njerëzimit dhe nuk do ndalet deri sa të mbarojë kjo botë, na mbetet neve të vendosim se në cilën rrugë do ecim dhe cilat vlera do përqafojmë. Shihemi në Ditën e Gjykimit!”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu