Aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi, Natasha Kandiç, ka folur me tone të ashpra ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Ajo i kërkon Vucic që të tregojë se kush i organizoi barrikadat dhe dhjetëra serbët që i vendosen ato në veri, gjithashtu ku i morën armët dhe uniformat.
Këtë gjë ajo e ka shkruar në platformën e saj X, ish-Tëitter. Ajo tha se në momente të tilla nuk është normale që Vuçiç të përsërisë që Serbia nuk do ta njohë Kosovën.
“Në këtë moment nuk është normale që Vuçiçi të përsërisë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën. Ai duhet t’u bëjë thirrje serbëve t’i dorëzojnë armët”, ka shkruar ajo.
Ndërkohë ditën e djeshme, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën si një shtet i pavarur “as formalisht, as joformalisht”.
“Presioni ndaj Serbisë për të njohur Kosovën është thelbi. Për të mos thënë që na e shkatërruan ushtrinë. Mesazhi im më i rëndësishëm është se ne kurrë nuk do ta njohim Kosovën e pavarur. Mund të na vrisni të gjithëve. Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën e pavarur! Ne jemi gati dhe flasim gjithmonë, por harrojeni njohjen e Kosovës”, tha thënë Vuçiç.
Ai tha se druhet se situata do të përkeqësohet, prandaj theksoi se Serbia do të marrë vendime të rëndësishme në ditët në vijim, por nuk specifikoi se me çfarë kanë të bëjnë ato vendime.