Albin Kurti sqaron Thaçin: Pse më takon vijimi i qeverisjes dhe nevoja për zgjedhje të reja

Kryeministri i rrëzuar Albin Kurti ka zgjedhur sofizimin politik dhe konstitucional për të përligjur vijimin e të qënit në krye të qeverisjes, duke lënë të kuptuar kështu se nuk do i përgjigjet inisiativës së presidentit Thaçi për formimin e një kabineti të ri.

“Konstitucionalizëm integral, jo voluntarizëm presidencial”, është titulli i një qasjeje të tij në FB, të cilën e nis me arsyetimin:

“Neni më i rëndësishëm i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për ecjen përpara është ai 82.2: ‘Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë’. Këtu, folja jokalimtare ‘mund’ nuk është ajo e një mundësie subjektive të zgjedhjes, por e lejes për të proceduar nga një autoritet. Nuk është e rastësishme që në verzionin në anglisht të Kushtetutës sonë, fjala ‘mund’ nuk është ‘can’ por ‘may’. Së këndejmi, neni 82.2 është dispozitë e lejimit dhe jo e përzgjedhjes”, shkruan Kurti, i cili më pas i atibuon Thaçit një hutim.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, në vend se të hutohet me nenin 95 te Kapitulli VI i Kushtetutës (Qeveria e Republikës së Kosovës), duhet të fokusohet në nenin 82 te Kapitulli IV (Kuvendi i Republikës së Kosovës). Njëherazi, togfjalëshat e tij kundërkushtetues të deklaruar publikisht si ‘qeveri e re’ apo ‘kritere mbizotëruese’ nuk ndriçojnë rrugën përpara. Përkundrazi”, argumeton Kurti.

Ai vijon me analizën e produktit të 6 tetorit, duke paralajmëruar se i qëndron shkuarjes dhe njëherë në zgjedhje.

“Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, nuk kemi garuar se kush do të bëhet kryetar komisioni parlamentar, shef grupi apo kryetar Kuvendi. Partitë kanë garuar me programe qeverisëse dhe me kandidatë për kryeministra. Kontrata legjitimuese me popullin është ndërprerë dhe duhet të rikthehemi tek ai. Porsa të mbarojë pandemia Covid-19 – të cilën duhet ta luftojmë të gjithë bashkë duke mbështetur dhe ndihmuar e jo duke penguar a sabotuar qeverinë në detyrë – ne duhet të zbresim te populli si burim sovraniteti, për zgjedhje të reja, të lira e demokratike”, shkruan Kurti.

Sipas tij, një kabinet tjetër do duhej vetëm në dy raste.

“Ka dallim thelbësor ndërmjet situatës kur kryeministri dorëhiqet nga posti i tij dhe asaj kur Kuvendi voton mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Në rastin e parë kemi mungesë vullneti ose aftësie të vetëdeklaruar nga kryeministri i cili largohet. Në rastin e dytë qeveria dhe kryeministri janë në detyrë, nuk ka vakuum deri në zgjedhjet e reja, andaj edhe stabiliteti e funksionimi shtetëror nuk cënohen. Pra, në rastin e dytë e që është ky yni tani, nevojitet Kuvend i ri për qeveri të re.

Kjo do të jetë hera e tretë e situatës së njëjtë në Kosovën e pavarur: kishim mocione të suksesshme të mosbesimit edhe në vitet 2010 e 2017, pas të cilave Presidenti shpërndante Kuvendin dhe shpalleshin zgjedhjet e parakohshme. Për më tepër, në vitin 2017 ishte po ky President që është tani, dhe, në atë kohë, ai nuk kishte dilemë se cila ishte rruga e duhur pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit.

Kushtetutëdhënësi e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër, me faktin se nuk ka paraparë asnjë procedim tjetër në Kushtetutë, për dallim nga dorëheqja, pas së cilës Kushtetuta ka paraparë që Presidenti fillon konsultimet me partinë apo koalicionin fitues“, shprehet Kurti, duke e mbyllur mesazhin me fjalët:

“Përfundimisht, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë. Sepse ai duhet ta zbatojë Kushtetutën e jo ta interpretojë atë”. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu