Analisti që e sulmoi Ramush Haradinajn në gazetën TIME, mik i Vuk Jeremiq

Ian Brammer, analisti amerikan, që zgjodhi të sulmojë kryeministrin Ramush Haradinaj përmes një shkrimi autorial të publikuar në revistën prestigjioze TIME, rezulton të jetë mik shumë i afërt i ish- ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiq.

Meliza Haradinaj, këshilltare politike e Haradinajt, ka sqaruar përmes një statusi në Facebook, raportin që sipas saj kanë analisti politik amerikan me Jeremiqin.

“Sa për informatë, autori i shkrimit në TIME Ian Bremmer është edhe mik i ngushtë i Vuk Jeremiqit, dhe pjesëmarrës i rregullt i konferencave të OJQ-së së tij. Me pak hulumtim, mund t’i gjeni ngjarjet e shumta të përbashkëta të tyre, madje edhe private, si kjo foto më poshtë në US Open 2016”, shkruan ajo.

Meliza Haradinaj, thotë se Serbia po punon në të gjitha frontet që të dobësohet imazhi dhe suksesi dhjetëvjeçar i Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran.

Revista “Time”, një nga mediumet më prestigjoze dhe më me ndikim në botë, e rendit kryeministrin kosovar Ramush Haradinajn në mesin e pesë personave të arratisur më të kërkuar në botë. Haradinaj renditet përkrah Carles Puigdemonit të Katalonjës, Fethullah Gulenit të Turqisë, Julian Assanget dhe Mikheil Saakashvilit.

“Shpesh nuk është mirë të jesh i kërkuar. Në kohëra të dramave gjeopolitike, këtu keni disa prej personazheve të rreptë që janë ‘më të kërkuarit’, të cilët kanë fituar vëmendjen e botës”, shkruan Time për pesë personazhet e këtij artikulli.

Autori që i ka dhënë rëndësi pesë personave, në artikullin e tij, përfshirë edhe Ramush Haradinajn, punon si kolumnist dhe redaktor në Time që nga viti 2014. Gjithashtu, ai është themelues i Grupit Eurasia që merret me hulumtime të rreziqeve politike globale.

“Nganjëherë, Assange, Puigdemont, Gulen dhe Haradinaj, të jashtëligjshmit, mund të shndërrohen në heronj për ata që kanë kundërshtuar gjoja burgosjen e tyre”, shkruan ai, në fund të artikullit.

Qeveria e Kosovës nuk e ka komentuar vlerësimin që ia ka bërë ky analist politik. Shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Avni Arifi, deklaroi se s’kanë asnjë koment për raportimin që e ka bërë TIME.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu