Analistja gjermane: Së shpejti Vuçiq do të ketë ditë të vështira

Analistja dhe ekspertja gjermane e situatës në Ballkan, Johanna Deimel, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq deri më tani kishte arritur të valëviste flamurin e BE – duke pretenduar se ai është pro integrimit, e në ndërkohë duke e minuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave, dhe ka shtuar se Vuçiqi shpejt mund të përballet me kohë të vështira.

Me metodologjinë e re të procesit të zgjerimit të BE, në të cilën sundimi i ligjit dhe reformat janë të lidhura me ndihmën financiare të BE, Vuçiq shpejt mund të përballet me kohë të vështira. Për shkak se Kina dhe Rusia sigurisht nuk janë alternative ndaj Bashkimit Evropian, ka thënë Johanna Deimel për “Zërin e Amerikës”.

Ajo ka theksuar se Rusia i ofron Serbisë mbështetje në fushën e politikës së jashtme, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit të KB – që paraqet një lehtësi për Serbinë në negociatat me Brukselin dhe Uashingtonin, derisa Kina sjell para të shpejta dhe infrastrukturë për sistemet e mbikëqyrjes që i përshtaten autokratit Vuçiq.

Kina dhe Rusia po përdorin gjithashtu situatën e pandemisë. Ata po përdorin një gjeopolitikë të mençur duke shpërndarë vaksina në Serbi. Kjo sjell përkrahje për Vuçiqin, por edhe për Moskën dhe Pekinin në Serbi dhe rajon. Nga ana tjetër, ajo kontribuon në humbje të ndjeshme të imazhit të Bashkimit Evropian, si për shkak të situatës aktuale me vaksinat, ashtu edhe në lidhje me zgjerimin e BE, konsideron Deimel.

Ajo gjithashtu vëren se si duket tani se po ndodh një lloj ndryshimi. Duket se dora mbrojtëse e Angela Merkel, e cila e mbrojti për një kohë të gjatë Vuçiqin në qarqet konservatore gjermane, nuk duket më aq e fortë. Një artikull nga Michael Martens në të përditshmen konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine” me titull “Futboll, vdekje dhe marihuanë” me siguri nuk e gëzoi Vuçiqin. Si dhe hulumtimi i portalit KRIK rreth lidhjeve të tij të ngushta me krimin e organizuar, ka thënë Deimel, duke shtuar se mediet proqeveritare serbe po e zbatojnë një kampanjë të ashpër të shpifjeve kundër KRIK, mirëpo megjithatë Vuçiq po tregohet gjithnjë e më i nervozuar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu