Arabia Saudite përgatitet për haxhin dhe vizitën e umresë

Ministri i haxhit dhe umresë të Arabisë Saudite, Muhammed Salih bin Tahir Benten, tha se do të presin me kënaqësi pa dallim të identitetit kombëtar dhe sektar të gjithë ata që do të vijnë për haxhin dhe vizitën e umresë. Ai tha se në këtë drejtim i kanë dërguar ftesë Iranit, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë së lajmeve të Arabisë Saudite SPA, në një takim në ndërtesën e ministrisë në kryeqytetin Rijad me përfaqësues për çështjet e haxhit të afërsisht 80 vendeve, Benten ka diskutuar mbi përgatitjet për kandidatët haxhinjë të botës islame dhe nga vendet e tjera.

Ministri Benten ka vënë në dukje se takimin e kanë mbajtur në kuadër të udhëzimeve të marra nga mbreti Selman bin Abdulaziz për të diskutuar për përgatitjet e nevojshme që do të bëhen për muslimanët që do të vijnë këtë vit në tokën e shenjtë për të kryer adhurimin e haxhit.

Ai potencoi edhe çështjen e kryerjes së haxhit nga qytetarët e Iranit.

“Arabia Saudite i pret me kënaqësi kandidatët haxhinj që do të vijnë nga Irani dhe e gjithë bota islame. Në këto takime për përgatitjet e kandidatëve haxhinj janë ftuar edhe delegacioni i institucionit iranian për haxhin dhe vizitat. Qeveria e Arabisë Saudite pranon me kënaqësi të gjtihë pa dallim kombësie dhe sektare ata që do të vijnë për haxh dhe vizitën në umre”, tha Benten.

Për shkak të tensioneve mes Iranit dhe Arabisë Saudite këtë vit vetëm një pjesë e iranianëve që jetojnë jashtë Iranit kanë shkuar në Arabinë Saudite për të përmbushur obligimin e haxhit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu