Athina ka mohuar deklaratën e Albin Kurtit se Greqia është më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Greqia është më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke bërë lëvizjen e parë në këtë drejtim në mesin e pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e njohin, por Athina zyrtare ka thënë për EURACTIV se asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me këtë çështje.

Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe Qipro nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008 pas luftës së viteve 1998-1999 me Serbinë.

Duke folur në televizionin polak të dielën, Kurti tha: “Ne kemi punuar shumë në aspektin diplomatik që ata t’i bashkohen shumicës së vendeve të BE-së. Greqia është në ballë të këtyre vendeve, e cila është më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Këtë e tregon edhe statusi i zyrës sonë në Athinë”.

Greqia ka një Zyrë Ndërlidhëse të akredituar nga UNMIK-u në Prishtinë dhe një Zyrë për Çështje Ekonomike dhe Tregtare të Kosovës.

Athina njeh gjithashtu pasaportat e lëshuara nga Kosova.

Por, i pyetur në lidhje me deklaratën e Kurtit, një burim i qeverisë greke komentoi se “qëndrimi grek ka mbetur i pandryshuar”.

Prej disa muajsh raportohet se Greqia mund të jetë e para që do ta njohë Kosovën. Në mars të këtij viti, ministri i Jashtëm i atëhershëm grek, Nikos Dendias, vizitoi Kosovën për të gjashtën herë, duke u takuar me presidenten Vjosa Osmani.

Në një deklaratë, kryeministri Kurti vlerësoi përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për liberalizimin e vizave dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu