Avni Avdiu, profesori i njohur universitar ka komentuar vizitën e ministrave shqiptar të Maqedonisë në Shqipëri dhe Kosovë që kanë ndodhur së fundmi. Ai ka kritikuar mediat shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri se u janë drejtuar me tituj si ‘homologu maqedonas’ dhe ‘maqedonc‘, transmeton InfoShqip.
Postimi i plotë:
“Mediet e Shqipërisë dhe ato të Kosovës ua ndryshojnë identitetin kombëtar shqiptarëve të Maqedonisë [Në Shqipëri thonë ‘maqedonc’-në Kosovë ‘maqedonas’]. Kjo po ndodh gjithnjë dhe për çudi pa reagime serioze.
P.S: Historikisht dihet dhe është e dëshmuar se maqedonët antikë ishin fis ilir, por gjersa Greqia dhe Maqedonia ziheshin se kujt i përket realisht ky emër, ne heshtnim dhe nuk ditëm dhe nuk mundëm ta mbronim. Problematika e emrit ‘maqedon’ është edhe një dëshmi plotësuese se akademitë shqiptare (e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës) janë në gjumë, saqë njëherë nuk u dëgjuan të reagojnë me një qëndrim të përbashkët për ndonjë çështje madhore kombëtare. Kur kjo kihet parasysh, emërtimi i tanishëm i shqiptarëve të Maqedonisë si ‘maqedon’, më tepër merr konotacion pezhorativ. Nëse s’ishim të zotë t’i bashkonim territoret e coptuara, atëherë mos t’i theksojmë vetë kufijtë që na ndajnë, por të paktën ta ruajmë shpirtërisht, me mendje e zemër unitetin kombëtar (domethënia e konceptit: Prof.mr. P. Boeles, ‘What is the use of nationality?’, Universiteit Leiden, 2007)”- shkruan në post./InfoShqip.com










