Bllokada e porteve të Ukrainës nga Rusia mund të jetë ‘katastrofike’ për Afrikën

Kryetari i Bashkimit Afrikan, presidenti i Senegalit, Macky Sall, u ka thënë udhëheqësve të Bashkimit Evropian se bllokada e porteve të Ukrainës nga Rusia po i hap rrugën një “skenari katastrofik” të mungesës së gjerë dhe rritjes së çmimeve në të gjithë kontinentin e tij.

Në një fjalim drejtuar liderëve të mbledhur në Bruksel të martën për një samit të fokusuar në ndihmën ndaj Ukrainës, Sall tha se ndalimi i eksporteve të drithërave dhe plehrave përmes Detit të Zi është shumë shqetësues për një kontinent që supozohet se ka 282 milionë njerëz të kequshqyer.

Në këtë drejtim ai ka bërë të ditur se çmimi i plehrave në të gjithë Afrikën tashmë është trefishuar në krahasim me vitin 2021, përcjell Telegrafi.

Sipas disa vlerësimeve, rendimentet e drithërave në Afrikë do të bien me 20 deri në 50 për qind këtë vit”, ka paralajmëruar Sall.

Dëshirojmë të bëjmë gjithçka të mundshme për të çliruar rezervat e disponueshme të grurit dhe për të siguruar transportin dhe qasjen në treg”.

Ndërkohë Charles Michel, presidenti i Këshillit të BE-së, tha se “BE nuk po kursen asnjë përpjekje për të liruar eksportet përmes tokës të Ukrainës dhe duke eksploruar rrugë alternative detare”.

Vendet afrikane importuan 44% të grurit të tyre nga Rusia dhe Ukraina midis 2018 dhe 2020, sipas shifrave të OKB-së. Banka Afrikane për Zhvillim tashmë po raporton një rritje prej 45% të çmimeve të grurit në kontinent.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu