‘Bomba’ e Johnson: Gjermanët donin që Ukraina të humbiste luftën

Ish-kryeministri britanik, Boris Johnson, ngre akuza serioze kundër qeverisë federale gjermane.

Në fillim të luftës agresive ruse, Gjermania ishte e mendimit se një humbje nga ukrainasit do të ishte më e mirë se një betejë e gjatë mbrojtëse kundër Rusisë.

“Kjo gjë erdhi si një tronditje e madhe,” tha Johnson për CNN. “Ne po shihnim batalionet ruse duke marshuar, por vende të ndryshme kishin perspektiva të ndryshme”. Franca i mohoi deri në fund planet e sulmit rus. Gjermania krejt ndryshe.

Boris Johnson tha për qëndrimin e qeverisë gjermane: “Unë do ju them diçka të tmerrshme. Pikëpamja gjermane në një moment ishte: nëse ndodh, do të jetë fatkeqësi dhe do të ishte më mirë nëse gjithë kjo të kalonte shpejt. Që Ukraina të dorëzohej”.

Që do të thotë: sipas Johnson, qeveria e kancelarit Olaf Scholz fillimisht preferoi një humbje të shpejtë në luftë për Ukrainën.

Kjo akuzë është bërë edhe në të kaluarën. Ambasadori ukrainas në atë kohë, Andriy Melnyk, shpjegoi se menjëherë pas fillimit të luftës, ministri federal i Financave, Christian Linder, e kishte informuar atë se Ukrainës i kishin mbetur vetëm disa orë dhe se po bëheshin përgatitjet që Ukraina të pushtohej nga Rusia. Ministria e Financave i kundërshtoi pretendimet e Melnyk.

Gjermania refuzoi t’i dorëzonte armë Ukrainës deri pas fillimit të luftës më 24 shkurt- pavarësisht dislokimit të trupave ruse. Ish-kancelarja Angela Merkel e justifikoi refuzimin e saj të dërgimit të armëve duke thënë se ushtria ukrainase ishte inferiore ndaj forcave të armatosura ruse dhe se dërgimi i armëve nga Perëndimi nuk do e ndryshonte këtë.

Ish-gjenerali i ushtrisë gjermane, Erich Vad, që ishte këshilltar i Merkel për shumë vite, tha në ditën e sulmit rus: “Nga pikëpamja ushtarake, gjërat shkuan mirë. Dhe vlerësimi im është se do të jetë çështje vetëm e pak ditëve, jo më shumë”.

Sipas Johnson, vetëm më vonë, Gjermania, Franca dhe vendet e tjera ndryshuan pozicionin e tyre dhe filluan të furnizojnë ushtrinë ukrainase me armë. Ata e panë se nuk kishin alternativa të tjera, tha politikani britanik.

“Nuk mund të negocioje me atë tip. Nuk ka asnjë marrëveshje. Ai nuk po ofron asnjë marrëveshje, ai nuk e dëshiron një të tillë,” tha Johnson për Putinin.

BILD kërkoi një reagim nga kancelaria e Olaf Scholz për deklaratat e bëra nga ish-homologu i tij. Një zëdhënëse e qeverisë tha se nuk e komentojnë këtë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu