Çka po më kryen punë kjo diplomë? Studentja i godet kandidatët për kryeministër

“Nga sot MA i Gazetarisë!🎓 Mos u dorëzoni nga ëndrrat tuaja😊”, kështu kishte shkruar Donika Ahmeti në ditën e saj të diplomimit në degën e Gazetarisë në Universitetin “Hasan Prishtina” në studimet e nivelit master. Por, sot, një vit më pas, Donika është e dëshpëruar me atë diplomë, shkruan Dardanianews.

E dëshpëruar me zhvillimet e përgjithshme në vend, sot ajo i pyet kandidatët për kryeministër të Kosovës, “e çka po më kryen punë kjo diplomë?”.

Ua rikujton dështimet e u tregon Kadri Veselit, Albin Kurtit, Vjosa Osmanit, Fatmir Limajt e Ramush Haradinajt se siç thotë ajo, “Dalëngadalë, PO VJEN DITA, me vendos 100% me u largu nga ky vend, me BESIMIN se do ta NDËRTOJMË NJË TË ARDHME MË TË MIRË jo vetëm për veten por edhe për shtetin tonë”.

DardaniaNews ju sjell të plotë statusin e publikuar nga Donika Ahmeti.

Sot një vit mora titullin “Master i Gazetarisë”.

E çka po më kryen punë kjo diplomë?🤔😏

Meqenëse jemi në kohën e fushatës zgjedhore, pyes partitë dhe kandidatët e tyre se çfarë do të bëjnë studentët si rasti im që marrin diplomë master në Kosovë. Ku dhe KUR do të na hyjë në punë kjo diplomë?

Asnjë nga ne nuk ëndërron të diplomojë dhe ta marrë atë copë letre diplome ta ruajë në kornizë, e që kohë pas kohe t’ia fshijë pluhurin.

Në rast se studentëve nuk iu ofrohet asgjë pas diplomimit, atëherë të tjerët që ia kanë mësyer kësaj rruge, më mirë të dorëzohen. Edhe ashtu, fati i arsimit dita-ditës po shihet. Tashmë Kosova nuk është më pjesë e Agjencionit Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), duke rrezikuar njohjen e diplomave jashtë vendit (se këtu shumë po na ‘njihen’).

I/e nderuar kandidat për kryeministër, çka të bëj me diplomën time?

➡️Po thonë “Beso”➖në kë, a ka mbet edhe një pikë shpresë me besu në ju? Po, besojmë vetëm në një gjë, se do vazhdoni me avazin e vjetër.

➡️Po thonë se do “Ndërtojmë të ardhmen për ty dhe shtetin”➖ cilën të ardhme, edhe para disa vitesh pritëm të shohim të “ardhmen e ndritur” që s’e ndërtuat as për mua e as shtetin.

➡️Po thonë kemi vendos “Të jemi bashkë për Kosovë 100%”➖po, bashkë jeni 100%, por vetëm për Kosovën s’jeni.

➡️Po thonë “Erdhi dita”➖po, rinia po thonë erdhi dita me ikë prej këtij vendi, pasi pa asnjë pikë dëshire u është imponuar një vendim i tillë.

Thuani çka të doni, më 6 tetor, nuk presim bash asnjë ndryshim.

Dalëngadalë, PO VJEN DITA, me vendos 100% me u largu nga ky vend, me BESIMIN se do ta NDËRTOJMË NJË TË ARDHME MË TË MIRË jo vetëm për veten por edhe për shtetin tonë.

P.s. Programet e partive i kemi parë, mangësi kishte sa të duash, por çfarë mungonin më së shumti ishin premtimet për të moshuarit se rinia iku!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu