Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ambasadorin e Bashkimit Evropian, Michael Rokas, ministrin për Punë Sociale, Rini dhe Demografi, Gjoko Velkovski, dhe kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka përuruar çerdhen “Foleja” në Përshefcë.
Me hapjen e çerdhes, fëmijët dhe familjet e Komunës së Tearcës kanë tashmë një hapësirë të re për kujdes dhe edukim parashkollor.
Memishi e cilësoi përurimin si realizim të një premtimi të dhënë para qytetarëve, duke theksuar se projekti kërkoi punë, përkushtim dhe këmbëngulje.
“Jam veçanërisht i lumtur që sot realizoj edhe një premtim të dhënë para qytetarëve të mi. Një premtim që kërkoi punë, përkushtim dhe këmbëngulje, por që sot u bë realitet”, tha Memishi.
Sipas tij, “Foleja” është një investim për fëmijët, familjet dhe të ardhmen e Komunës së Tearcës.
Memishi falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e projektit, me theks të veçantë drejtoreshën e çerdhes, Isnisha Velii.










