Diplomacia ballkanike: Maqedonia në pozitë jashtë loje

Maqedonia në margjinat e faktorit ndërkombëtar, nuk figuron në hartën e vendeve me rëndësi. Kriza e thellë që po zgjatë shumë në Maqedoni ka larguar vendin nga agjenda e shteteve të mëdha. SHBA-të te liderët politik në Maqedoni nuk po shohin partner për të folur për çështje strategjike.

Kështu mendojnë analistët, të cilët në deklaratat e tyre dhënë Portalb.mk kanë komentuar vizitën e nënkryetarit të SHBA-së, Xho Bajden, në Ballkan, ku është anashkaluar shteti i Maqedonisë.

Çfarë porosie jep për Maqedoninë anashkalimi i Xho Bajdenit?

“Mendoj se porosia është e qartë. Vizitë bëhet vetëm aty ku ka pasur proces të suksesshëm, gjegjësisht aty ku zhvillimi apo procesi i demokracisë është i suksesshëm. Maqedonia nuk gjendet në hartën me vendet e rëndësishme, kjo është rezultat i krizës së gjatë politike. Në Maqedoni nuk kanë partner, me të cilët do të kishin bashkëpunim. Realisht Maqedonia ka një lloj Qeverie teknike, edhe pse përbëhet nga dy partitë. Është në krizë të thellë politike, që po zgjatë më shumë se dy vjet”, shprehet për Portalb Bojan Mariçiq duke theksuar se thjesht, nuk ka as për çfarë të vijë këtu në Maqedoni, Xho Bajden.

Sipas tij, kjo është një porosi për Maqedoninë, për dalje sa më të shpejt nga kriza aktuale. Gjithë kjo e çon Maqedoninë në izolim.

“Ne një kohë të gjatë jemi në pritje për NATO dhe BE, nuk po mund të ecim përpara”, tha Mariçiq.

Vizitat e ndërkombëtarëve në Maqedoni vetëm në nivel operativ

Maqedonia nuk po konsiderohet si partner, prandaj edhe vizitat janë vetëm në nivel operativ. Si shembull Mariçiq ka përmendur vizitën e fundit të Viktoria Nulland, ndihmës sekretarja shtetërore e SHBA-së për çështje evropiane dhe euroaziatike Viktoria Nulland.

“Vizitat e përfaqësuesve të lartë të SHBA-së këtu në Maqedoni janë në nivelin operativ, sikur vizita e Viktoria Nulland që janë për zgjidhjen e krizës. Që do të thotë se jemi në krizë të thellë. Aty ku konsideron Bajden se ka progres dhe duhet të jepet mbështetje i zhvillon vizitat”, theksoi Mariçiq.

Në një linjë të mendimit është edhe analisti Ismet Ramdani. Sipas tij, nuk është hera e parë që zyrtarë të lartë të SHBA-së e anashkalojnë Maqedoninë.

“E para, nuk kanë me kë të takohen këtu, bëhet fjalë për udhëheqës që e kanë futur shtetin në krizë politike dhe është krijuar bindje që këta liderë nuk janë partnerë që duhet biseduar për çështje më strategjike. Kanë bindjen se mund të mbikëqyret këtu rrjedha politike edhe në nivele më të ultë. E dyta, shqiptarët dhe serbët si popull paraqesin faktorë- mund të jenë stabilizues edhe destabilizues. Ardhmëria dhe perspektiva demokratike e Ballkanit varet nga raportet shqiptaro-serbe, për të cilat duhet një shtytje amerikane. Shikuar në aspektin makropolitik, interesin amerikan e mbështesin në popuj dhe shtete që kanë rol të rëndësishëm”, deklaroi për Portalb Ramadani.

Shkuarja e Bajdenit në Kosovë, shton ai ka edhe motive tjera, pak a shumë edhe subjektive. “Ai është i shquar për interesimin e tij dhe simpatinë e tij për shqiptarët në Kosovë. Ai në fakt ka përkrahë drejtësinë dhe angazhimin për t’u çliruar Kosova. Sigurisht, njihet si njeri që është me vizione që janë pozitive me rajonin”, sqaroi Ramadani.

“Maqedonia jo vetëm nga zyrtarët e lartë amerikan, por po anashkalohet edhe nga zyrtarë të BE-së. Kjo do të thotë se Maqedonia ende nuk ka dhënë shembull të mirë se është përcaktuar drejt asaj që do të thotë demokraci institucionale dhe një orientimit të pastër dhe pa lajka drejt integrimeve euroatlantike”, përfundoi Ramadani.

Ali Ahmeti, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, parti kjo partnere e VMRO-DPMNE-së në pushtet, ka mirëpritur vizitën e Xho Bajden në Kosovë, por i njëjti s’ka komentuar asgjë për mosardhjen e Bajdenit në Maqedoni.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu