Edhe kur kopjohet, lajmi duhet të konfirmohet

[Recension: “Zekiri i mbron interesat e shqiptarëve: E zgjodha LSDM-në se ka program më të mirë se ISIS”]

 Një praktikë tashmë e njohur e portaleve në vendin tonë është kopjimi masiv i lajmeve. Ato kopjojnë nga kushdo dhe për cfarëdo lloj ngjarjeje. Sapo të shohin se dikush ka publikuar ndonjë lajm që sipas tyre është interesant. E kopjojnë dhe e botojnë me vrap, me idenë që të mos ngelin mbrapa krahasuar me konkurrencën e tyre. Por ndonjëherë ndodh që një lajm të jetë i shpikur apo i paverifikuar, e në mungesë të kontrollimit apo sigurimit për vërtetësisë së tij nga mediet që e kopjojnë, krijohet një zinxhir i lajmeve të paverifikuara.

Linku për te artikulli origjinal: Zekiri i mbron interesat e shqiptarëve: E zgjodha LSDM-në se ka program më të mirë se ISIS

Data dhe koha e publikimit: 08.09.2016

Data e recensionit: 14.09.2016

Recensues: Agron Vrangalla

Lajmi në fjalë është pak i veçantë, për hir të së vërtetës. Në pamje të parë, duket se gjithçka edhe mund të jetë në rregull. Kokën e ka në rregull, jep sqarime, vjen pjesa e deklaratës, ku edhe përfundon. Edhe pse pas deklaratës preferohet të ketë dy-tre fjali përmbyllëse, por kjo nuk përbën ndonjë problem të madh. Deklarata e Muhamed Zekirit që po transmetohet këtu, për publikun e përgjithshëm duket krejtësisht në rregull, ku Zekiri citohet të ketë thënë se ka bërë zgjedhjen më të mirë që është përfshirë në LSDM, pasi që kjo parti do t’i ofrojë shumë më shumë gjëra krahasuar me ISIS si një organizatë për të cilën Zekiri qenka akuzuar se ka lidhje me të.

Deklaratë e tillë, sigurisht që tërheq lexueshmëri. Kur e lexon, mund edhe të krijohet përshtypja se nuk ka asnjë problem me autenticitetin e saj. Mirëpo, njohësit do të vërenin se lajmi nuk ofron informatë se kur dhe ku, dhe në çfarë konteksti e ka thënë këtë Zekiri, që është një mangësi profesionale dhe fillon të zgjojë dyshime, por vetëm tek ata që kuptojnë mediat më mirë.

Por çfarë ndodhi? Të njëjtën ditë që u publikua ky lajm, doli Muhamed Zekiri dhe mohoi të ketë thënë një gjë të tillë. Ai në profilin e tij në Facebook shkruante:

“Me vjen sinqerisht keq qe do te jem i detyruar te padis te gjitha portalet qe luajn rolin e “gazetareve”, duke filluar nga ZHURNAL, Tetovasot, Fakte dhe te gjithe qe trillojne dhe shpifin lajme te sajuara ne emrin tim. Propaganda e tyre e flliqur ka kaluar te gjitha kufijte. Kerkoj urgjentisht te terhiqet ky “lajm” i shpifur qe eshte sajuar ne emrin tim dhe te gjithe qe e kane publikuar te kerkojne falje. Rrespekt per te gjithe gazetaret qe jane ne sherbim te ketij profesioni te shenjte, ndersa ata qe aktrojne si gazetare dhe jane ne sherbim te propagandave partiake qe moti i kane ra maskat!!!!”

Ndërkohë që Zekiri kërcënoi me padi duke përmendur me emra disa portale, lajmi në fjalë vazhdon të jetë prezent në këto portale. Kjo nënkupton dy gjëra: Ose Zekiri e ka thënë këtë dhe më pas është penduar, e tani kërkon të tërhiqet e njëjta, duke përdorur si presion kanosjet me padi për shpifje ndaj portaleve, ose portalet vërtetë kanë shpifur dhe kanë trilluar një lajm të tërë të bazuar mbi një gënjeshtër të madhe. Por, një gjë është e rëndësishme: po të mos kishte reagim nga ana e palës tjetër, në këtë rast të ish-gazetarit Zekiri, shumë kollaj lajmi do të shitej në publik, ngase, në dukje, është shumë në rregull pasi asgjë nuk na shtie të dyshojmë në autenticitetin e tij.

Jo vetëm sipas Kodit të Gazetarëve, por shpifja konsiderohet edhe thyerje sipas Ligjit për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe ofendim,  dhe si e tillë është e dënueshme.

Zhurnal.mk në fund të tekstit publikon burimin se nga e ka marrë këtë lajm. Bëhet fjalë për një revistë pro-qeveritare republika.mk.

Dhe, këtu vijmë në atë që u tha në fillim se përse është e rëndësishme që lajmi edhe kur huazohet, të ketë një lloj konfirmimi, sidomos kur akuzohet ndonjë palë, ose kur vjen prej mediave që kanë preferenca politike. Në këtë lajm nuk mund të konstatohet se kush ka të drejtë e kush jo. Në fakt, gazetaria asnjëherë nuk bën gjyqin e ngjarjeve apo fenomeneve të ndryshme, por thjeshtë u jep hapësirë të gjithë protagonistëve të thonë fjalën e tyre. Nëse Zekiri vërtetë planifikon të denoncojë rastin në gjyq, atëherë i ngelet këtij institucioni të vlerësojë se a ka bazë juridike për të gjykuar dhe dhënë dënim për shpifje ose jo.

 

mzpost

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu