Edi Rama po i përgatitë “kurthin” Albin Kurtit?

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti ditë më parë në intervistën për gazetën gjermane, Süddeutsche Zeitung, deklaroi se ”Projekti dështoi, por ideja nuk ka vdekur. Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Zgjidhje të tilla për shkëmbimin e tokës do të hapnin kutinë e Pandorës”.

Për këtë çështje, ekspertët i japin të drejtë kryeministrit Kurti, pasi që kjo ide ende sillet nëpër “sirtarët e kuzhinave” dhe se temë është shqetësuese e cila paraqet kërcënim të rrezikshëm.

Profesori Enver Bytyçi, i ka dhënë të drejt konstatimit të Kurtit, duke deklaruar se kjo ide ka tendenca të rigjallërohet dhe ka përmendur faktin se “kutia e Pandorës” ka hapur një dritare në Bosnjë-Hercegovinë.

“Një sinjal tjetër i rigjallërimit të këtij procesi është takimi kokë më kokë i Albin Kurtit dhe Gent Cakajt. Nuk është praktikë diplomatike që një kryeministër të zhvillojë takim prapa skene me një ministër të Jashtëm, aq më tepër me një zv. Ministër të Punëve të Jashtme, çfarë është Cakaj. Po pse ndodhi ky takim? Sepse Cakaj kishte për të dhënë disa mesazhe sekrete të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për kryeministrin Kurti të Kosovës. Mesazhi është i njëjtë me mesazhet që para tri vitesh merrte Hashim Thaçi. Sipas meje Rama ka dërguar një ofertë për Albin Kurtin: Hajde të punojmë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe unë ju siguroj që ju të bëheni presidenti i parë i Shqipërisë së Bashkuar, ndërkohë që ai veten e llogarit si kryeministrin e parë të kësaj Shqipërie. Por, Cakaj nuk kishte tagër të fliste me Kurtin për koston e këtij bashkimi. Qëllimi i Edi Ramës është ta fusë Kurtin në kurthin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe pasi të shpallet kjo iniciativë vetvetiu Kurti dhe Kosova do të jenë në kurthin e ndarjes dhe ndryshimit të kufijve, pasi që nuk mund të ketë bashkim pa dakordësinë e Beogradit dhe në Beograd, ashtu si Rama, bashkimi me Shqipërinë kushtëzohet me ndarjen e Kosovës dhe aneksimin e veriut të saj si dhe Anamoravës e ndoshta edhe më gjerë nga ana e Serbisë”, ka deklaruar Bytyçi për “Bota sot”.

Ai thotë se beson që Albin Kurti nuk do të bie në këtë kurth. “Por, oferta e Ramës vjen edhe në harmoni me presionin e Uashingtonit për heqjen e taksës. Hapi i parë për rikthimin e idesë së ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve do të jetë heqja e taksës dhe mos kushtëzimi i saj. Ndaj unë do të kërkoja me ngulm që zoti Kurti dhe qeveria e tij ta kushtëzojnë heqjen e taksës me një memorandum mirëkuptimi midis Kosovës dhe Serbisë për parimet mbi bazat e të cilave do rifillojë dialogu. Në këtë memorandum duhet të përjashtohet kategorikisht çdo mundësi për të diskutuar mbi kufijtë dhe territoret. Të gjitha luftërat në botë, edhe kur në dukej ka pasur ndonjë sfond fetar apo ideologjik, janë zhvilluar për kufijtë dhe territoret. Prandaj qeveria e Kosovës duhet të kërkojë zgjidhje që nuk e thellon konfliktin, por që sjell paqen. Memorandumi i mirëkuptimit duhet të firmoset edhe nga përfaqësuesi amerikan dhe evropian i ndërmjetësimit”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu