EKSKLUZIVE/ Zbulohen parcelat me kanabis në Staravec të Dibrës (FOTO)

Kjo foto është bërë bërë në Dibër, në fshatin Staravec, mbi qytetin e Peshkopisë. “Janë disa plantacione me kanabis në këtë zonë”, raporton burimi që e solli atë në redaksinë e Lapsi.al, që kërkon t’i ruhet anonimati. Ai thotë se plantacionet janë nën “patronazhin” e një drejtuesi të lartë të policisë së Dibrës. Bimët ruhen nga persona të armatosur, që nuk janë banorë të Dibrës. “Flasin me dialekt nga jugu, ndoshta nga Tepelena apo Vlora. Janë të armatosur me kallashnikovë dhe kanë edhe armë më të rënda, si mitrolozë apo snajper”, thotë burimi i Lapsi.al.

Për banorët kjo nuk është gjë e re. “Jabanxhinjtë”, siç i quajnë ata, zbresin në fshat dhe blejnë ushqime dhe pinë kafe, duke qerasur edhe djemtë e fshatit.

Edhe vetë policia është në dijeni, sepse ka agjentë të saj në çdo fshat, në çdo zonë. Ka edhe administratorët apo kryepleqtë që e kanë detyrim ligjor të raportojnë mbi sipërfaqet e mbjella me kanabis. “Ata i shohin ‘jabanxhinjtë’ kur zbresin në fshat për të blerë ushqime dhe për të pirë kafe. Çadrat e tyre sipër në kodër i ka parë i gjithë fshati. Në disa raste ata nuk i kanë lënë fëmijët apo të moshuarit që të ngjiten sipër për të çuar bagëtinë”, vijon rrëfimin e tij për Lapsi.al burimi i sipërcituar.

Në Dibër policia zhvilloi një aksion pak ditë pasi disa deputetë të PD denoncuan disa plantacione me kanabis në një zonë të thellë, në Selishtë. Mbi 4 mijë rrënjë u asgjësuan.

“Mbi 4 mijë rrënjë janë vetëm në parcelën që kam arritur të fotografoj”, thotë burimi i Lapsi.al. “Kjo është vetëm një pjesë e sipërfaqes së kultivuar në Staravec”, vijon ai duke lëshuar edhe një sfidë për policinë: “Le të vijë policia vetë që ta shohë se çfarë bëhet këtu”.

Ai tregon se edhe në fshatrat ngjitur ka parcela me kanabis. Në disa prej tyre banorët kanë probleme me kultivuesit dhe ata që i ruajnë. “Në një rast u ndërprenë ujin, sepse u duhej për të vaditur kanabisin. Kur banorët shkuan për të parë se çfarë ndodhte, u përballën me persona të armatosur rëndë që i kërcënuan. Është e kotë t’i denoncosh. Policia nuk do t’i kapë dhe ti rrezikon”, thotë në rrëfimin e tij për Lapsi.al qytetari që denoncon parcelat në Staravec.

Po përse policia nuk ndërhyn me iniciativën e saj? “Këto parcela janë të një zyrtari të hetimit të krimeve të rënda”, përgjigjet ai. “Kjo është arsyeja”.

Në një raport të SHISH, pjesë të të cilit janë publikuar në media, ka emra drejtuesish të policisë që dyshohet se janë implikuar në trafikun e drogës. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pohoi dje se ka policë të përfshirë në narkotrafik, edhe pse mohoi të ishte në dijeni të një raporti të tillë.

Opozita ka denoncuar disa nga drejtorët e policive në rrethet ku janë kapur më shumë parcela me kanabis. Këta drejtues jo vetëm nuk janë larguar si përgjegjës se kanë dështuar në parandalimin e kultivimit, por janë mbrojtur nga vetë ministri i Brendshëm, i cili, denoncimet e opozitës dhe medias i quan “përbaltje të punës së policisë” dhe flet për “lobe kriminale” që konspirojnë kundër policisë.

Në mesin e akuzave për kanabizimin e vendit, ministri i Brendshëm ka nisur një sulm të paprecedent ndaj mediave dhe opozitës që denoncojnë rastet e kultivimit të kanabisit apo të implikimit të policisë në narkotrafik. Saimir Tahiri flet për situatë të ngjashme me vitin 2013. Por edhe nëse deklaratat e tij do të ishin të vërteta, ai duhet të japë llogari përse s’ka bërë asgjë në 3 vjet për ta ndryshuar situatën. Një situatë, që siç i tha prestigjozes “The Economist” një burim i rëndësishëm diplomatik, “është përkeqësuar”. /Lapsi.al


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu