Çfarë “El Clasico” do të ishte pa Leo Messi-n? Kjo është pyetja që po i bëjnë vetes në Barcelonë, duke parë se “Pleshti” ka dalë me disa probleme fizike pas ndeshjes kundër Valencia-s. Flitet për një kontraktim, që nuk do të ishte një gjë serioze, po të mos ishte për faktin se pas tri ditësh do të luhet gjysmëfinalja e parë e Kupës së Mbretit.
Shorti ka vënë përballë Barcelona-n dhe Real Madrid-in. Natyrisht, gjendja e argjentinasit shqetëson të gjithë, veçanërisht “Los Blancos”. Nga njëra anë ata do të donin ta shihnin në tribunë Messi-n, por nga tjetra kanë frikë dhe me të drejtë. Duke parë atë që ka ndodhur herët e fundit, do të ishte më mirë që Messi të luante.
Kur Leo ka munguar nga minuta e parë në përballjet “El Clasico” të viteve të fundit, gjërat kanë shkuar gjithmonë keq për… Real-in. Duhet pyetur Julen Lopetegui nëse ka menduar se përballja e zhvilluar në fazën e parë të La Liga-s pa argjentinasin (i dëmtuar) do ta kishte favorizuar skuadrën e tij. Përgjigjen e ka dhënë fusha, me katalanasit që kanë fituar 5-1 në shtëpi dhe Florentino Perez që ka shkarkuar trajnerin.
Pyetja që është bërë në ditët pasuese ka qenë tallëse: sa gola do të kishte shënuar Barcelona me Messi-n në fushën e lojës? Ndoshta më shumë, por ndoshta më pak. E sigurt është se, sa herë që Messi nuk luan kundër Real Madrid, shokët e tij të skuadrës bëjnë gjithçka është e mundur që mos të ndihet mungesa e tij. Ka ndodhur edhe në sezonin 2015/16, kur Messi ka kërkuar të përshpejtojë kohën e rikuperimit pas një dëmtimi në gju vetëm që të mos humbte “El Clasico”-n.
Duke parë atë që ndodhi më pas, ai mund ta kishte marrë më shtruar rehabilitimin, sepse kur Luis Enrique e ka aktivizuar në gjysmën e pjesës së dytë, ndeshja ishte 0-3 në favor të katalanasve, të cilët kanë patur kohë edhe për të realizuar golin e katërt, gjithmonë pa ndihmën e “Pleshtit”. Me pak fjalë, Real Madrid nuk mund të ndihet aspak i qetë: nëse Messi luan, madrilenët do të kenë përballë një lojtar që i ka shënuar 26 gola. Nëse nuk do të luajë… gjërat mund shkojnë gjithsesi keq.










