Faton Fazliu: Populli nuk e fal më zullumin e BDI-PDSH-së, fitorja është e BESËS

Dallimi të jesh me BESË është se ne mendojmë për ardhmërinë e gjeneratave që do vijnë, e jo për vetveten…

Protagonist i rradhës në intervistën e Almakos “3pyetje nga Mensur Krasniqi” këtë fillimjavë është shefi i kabinetit të kryetarit të Lëvizjes BESA, Faton Fazliu. Ai në kuadër të kësaj interviste ka thënë se pas 11 dhjetorit do të filloj epoka e re e përfaqësimit të shqiptarëve në krye me Lëvizjen BESA, të cilët do t’i kenë të gjitha të drejtat e barabarta dhe do të jenë popull shtetformues dhe shtetndërtues. Përve[ tjerash Fazliu ka sqaruar edhe procesin e krijimit dhe publikimit të listave për deputet në rradhët e kësaj lëvizje si dhe për koalicionimin e mundshëm të BDI-PDSH-së që me të madhe po përflitet në opinionin e gjërë.

Mensur Krasniqi: Rejtingu i BESËS në bazë të anketave të fundit rezultonte shumë afër BDI-së, po tani që kjo lëvizje u pasurua me dy personalitete tjera si Llabënishti dhe Çupi, a mund të llogaritet BESA si prijëse e anketave te ardhshme?

Faton Fazliu:
Lëvizja BESA është fitues absolut i zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Dhjetori do të njihet edhe si muaji kur do të fillojë Ridefinimi i Maqedonisë. Pas 11 dhjetorit, do të filloj epoka e re e përfaqësimit të shqiptarëve të cilët do t’i kenë të gjitha të drejtat e barabarta dhe do të jenë popull shtetformues dhe shtetndërtues. Radhët e Lëvizjes BESA çdo ditë po forcohen, me bashkëngjitjen e individëve të dëshmuar në politike, me njerëz profesionistë dhe të pashatnazhuar siç janë edhe z. Labenishti dhe z. Çupi, edhe me mbështetjen e një numër të madh të OJQ-ve.

Mensur Krasniqi: Deri ku janë BESA me publikimin e listave për deputet, dhe mbi cilat parime do të vendoset se kush do jetë bartës i listës?

Faton Fazliu: Këshillat Komunale të Lëvizjes BESA janë duke përgatitur propozimet e tyre për kandidat për deputet. Këto propozime së shpejti do të dorëzohen deri tek Kryesia Qendrore e Lëvizjes BESA e cila do të marrë vendim për përbërjen e listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Kjo listë do të miratohet nga Këshilli Qendror i Lëvizjes BESA brenda afatit të paraparë, por ajo që vlen të theksohet është se për herë të parë votuesit shqiptarë do të kenë mundësinë të votojnë për një subjekt politik i cili përfaqësohet nga profesionistë që i kanë realizuar ambiciet profesionale apo edhe materiale dhe qëllim të vetëm e kanë ndërtimin e një shteti të denjë për pasardhësit tanë.

Mensur Krasniqi:
Është përfolur për një kulicionim të mundshëm të BDI-së dhe PDSh-së? Çka i lidh këta dy parti?

Faton Fazliu:
Ajo që i lidhë këto dy subjekte politike për një koalicionim të mundshëm, është frika nga populli dhe BESA. Liderët e të dy partive i lidh edhe besnikëria ndaj NikollaGruevskit që u dëshmua edhe me përgjimet që patëm rastin t’i dëgjojmë të gjithë. Por, Lëvizja BESA nuk do të lejojë që vasaliteti i këtyre subjekteve të abuzojnë me interesin e shqiptarëve vetëm për të kënaqur “prijatellët dhe naçalnikët” e tyre. Dhe jemi të bindur se këto dy parti do të jenë humbësit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve ngaqë populli nuk e harron as rastin e Kumanovës, as Brodecin e Sopotin. Populli nuk i fal rastet e montuara si “Monstra” e as nuk e toleron përbuzjen që iu bë nga ky shtet shkaku i servilitetit të përfaqësueve të këtyre partive që me kalimin e kohës u dëshmuan se nuk janë asgjë më shumë sesa “kompani private” me tendencë për ta pronësuar çdo gjë shqiptare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu