Financial Times e konsideron samitin e Berlinit si dush të ftohtë për Ballkanin Perëndimor (VIDEO)

“Dush i ftohtë për vendet e Ballkanit Perëndimor”, kështu e përshkruan mediat e huaja si “Financial Times” përfundimin e Konferencës së një dite më parë për Ballkanin Perëndimor, në Berlin. Sipas tyre, presidenti Makron raportohet të ketë ruajtur qëndrimin se Parisi do të parapëlqente të ndihmojë vendet në fjalë me reformat në ekonomi, siguri dhe drejtësi, më shumë se sa zgjerimin e BE-së. Presidenti francez Makron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, raportohet të kenë qenë pesimist se zgjerimi i BE-së me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të ndodhë së shpejti. Megjithatë, në një intervistë për Handelsblat, komisioneri për zgjerim Johanes Han ka deklaruar se Komisioni Evropian, në maj, do të propozojë fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Vendimi, sipas Han, është marrë në bazë të kritereve të vendosura nga Komisioni në bashkëpunim me vendet anëtare.

Marrëveshja historike për t’i dhënë fund kontestit për emrin me Greqinë dhe Marrëveshja për miqësi me Bullgarinë janë sinjale inkurajuese për të gjithë rajonin se janë të mundura zgjidhje për konteste disavjeçare. Maqedonia e Veriut po ashtu ka arritur përparim të mirë sa u takon reformave të brendshme. Vendi meriton dritë jeshile për fillimin e negociatave gjë që është e mundur të ndodhë më herët se pushimet verore- deklaroi Johanes Han, komisioneri për zgjerimin e BE-së.

Kryeministri Zoran Zaev, pas kthimit nga Berlini, përmes një video-materiali thotë se në Samitin e Berlinit, vendi k marrë vetëm lëvdata për shembullin e mirë të arritjes së Marrëveshjes më Greqinë. Ai nga BE-ja pret materializimin e frymës pozitive me vendim për fillim të negociatave.

Porositëm se stabiliteti dhe reformat të cilat i adresojmë duhet të kuptohen si argumente serioze për vendim pozitiv nga ana e Bashkimit Evropian për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut gjatë verës. Kemi marrë përgjegjësi për vete dhe për rajonin. Tani është momenti që edhe BE-ja të ndërmarrë hapa të përgjegjshëm për Maqedoninë e Veriut dhe për Ballkanin Perëndimor që do të nënkuptojë edhe përgjegjësi ndaj popujve të saj evropian- deklaroi Zoran Zaev.

Burime nga Qeveria thonë se mbeten optimistë, por se rëndësishme është që vendi të fillojë negociatat brenda vitit, kurdo që të merret vendimi për këtë, duke lënë kështu të hapur mundësinë që, për arsye teknike dhe si pasojë e afateve të ngushta kohore, qershori të mos arrihet.

Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, zhvillimet e një dite më parë në Berlin dhe qëndrimet e Presidentit Makron i konsiderojnë si dëshmi se pushteti nuk zbaton reformat e nevojshme.

Neve na vjen keq që Zoran Zaev dhe kjo qeveri e cila drejton aktualisht vendin, shkoi në drejtim të gabuar me reformat të cilat do të duhet të hapnin rrugën drejt integrimeve euro-atlantike. Për fat të keq, pamë gjithçka që më herët e paralajmëruam, se Zaev dhe kjo qeveri kriminele nuk mund t’i fillojnë proceset integruese- tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

Samiti i Berlinit u realizua të hënën me iniciativë të kancelares gjermane Angela Merkel, e cila është një ndër mbështetësit më të mëdhenj të anëtarësimit të vendit dhe presidentit Francez Emanuel Makron, i cili përfaqëson një ndër vendet më të zëshme kundër zgjerimit të mëtejshëm të BE-së në një të ardhme më të afërt. Konferenca nuk kishte të bëjë drejtpërdrejtë me zgjerimin por me stabilitetin në rajon dhe marrëdhëniet mes vendeve. Fokusi ishte në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Palët kanë rënë dakord që dialogu të vazhdojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje.

Video:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu