Fituesit dhe humbësit nga kriza e lirës turke

Shteti turk zë më pak se 1 për qind të ekonomisë botërore, por rënia dramatike e valutës vendore ka tronditur tregjet në mbarë botën. Investitorët, nga frika se tregjet e tjera në zhvillim mund të ndiqnin hapat e Turqisë, kanë tërhequr paratë e tyre nga vende të tilla si India dhe Argjentina.

Sipas të dhënave nga Bank for International Settlements dhe J.P. Morgan Asset Management, thuhet se bankat spanjolle janë më të ekspozuara ndaj sistemit financiar turk, por përbëjnë vetëm 4.5 për qind të aktiveve të përgjithshme dhe humbësit janë cilësuar tregjet dhe bankat në zhvillim.

Në këtë kontekst, tregjet në zhvillim, ku Turqia është pjesë e tyre, janë bërë viktima më e madhe në trazirat e fundit të tregut.

Investitorët po tërheqin para nga tregjet nga frika se vendet e tjera, veçanërisht ato me pozita të dobëta financiare, do të ndjekin hapat e Turqisë. Tërheqje të tilla kanë dëmtuar monedhat e tjera si rupi indian dhe peso argjentinase, të cilat prekën nivelet e tyre më të ulëta kundrejt dollarit amerikan përgjatë kësaj jave.

“Kriza e Turqisë ngre shqetësime në lidhje me tregjet në vendet me ekonomi të brishta, të cilat në të njëjtën mënyrë mbajnë deficite më të mëdha të llogarisë korrente si Brazili, Afrika e Jugut dhe Argjentina. Është e rëndësishme të kujtojmë se vendet në zhvillim në tërësi, kanë pozita shumë më të forta financiare sesa 20 vjet më parë”, shkruan në një raport Instituti i Investimeve Wells Fargo.

Me gjithë ekspozimin e kufizuar ndaj sistemit financiar të Turqisë, aksionet e bankave në Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Evropë dhe Japoni u goditën gjithashtu. Bankat evropiane si BBVA e Spanjës dhe UniCredit e Italisë, të cilat kanë filiale në Turqi, këtë javë panë që aksionet e tyre ranë me 3.3 për qind dhe 4.6 për qind.

Bankat turke janë të pambrojtura në situatën aktuale, sepse kompanitë kanë akumuluar një nivel të lartë të borxhit në monedhat e huaja, të cilat janë gjithnjë e më të vështira për t’u kthyer, duke pasur parasysh lirën e dobët. Huamarrja e përgjithshme e vendit në valutë të huaj është rritur në më shumë se 50 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe shumica e atij borxhi mbahet nga kompanitë.

Ndërsa, investitorët kërkojnë një vend të sigurt për të depozituar paratë e tyre, asetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë dalë si të preferuarit e tyre në anën e pasme të një ekonomie më të fortë amerikane dhe normave më të larta të interesit. /Telegrafi


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu